Ndalimi i lëvizjes së lirë dhe detyrimi për të qëndruar i izoluar në shtëpi për shkak të COVID – 19 për një kohë të pacaktuar, ia ka vështirësuar më shumë punën Audituesve Ligjorë në marrjen e informacionit të nevojshëm për të kryer procedurat e auditimit. Situata e krijuar nga COVID – 19 ka sjell sfida pothuaj në të gjitha fushat e biznesit.
Sfida më e madhe e Audituesve Ligjorë është auditimi i pasqyrave financiare për periudhën që mbaron në 31 dhjetor 2019 dhe periudhën pasardhëse. Pavarësisht vonesës së mundshme apo dhe vështirësive në aksesimin e dosjes së klientëve, Audituesit Ligjorë gjithësesi do të duhet të sigurojnë të dhënat e duhura për përgatitjen e opinionit të tyre bazuar në Standardet Auditimit në mënyrë cilësore.
Audituesit Ligjorë duhet të veprojnë në interes të publikut, me objektivitet, integritet dhe pavarësi, dhe të ruajnë etikën e punës gjatë gjithë procesit të auditimit.
Kuptimi i ndikimit të koronavirusit në kohën e raportimit financiar
COVID – 19 mund të ndërpresë aktivitetet e biznesit dhe procesi i raportimit financiar mund të ndikohet gjithashtu. Audituesit Ligjorë duhet vazhdimisht të jenë në komunikim me klientët e tyre për të kuptuar si kjo situatë ndikon në procesin e auditimit. Më e mira do të ishte që komunikimi të vendosej me departamentin e menaxhimit ose me personat e ngarkuar me qeverisje për të pasur një panoramë të qartë të situatës.
Vlerësimi i riskut
Me ndryshimet e krijuara nga COVID – 19, Audituesit Ligjorë duhet të rivlerësojnë nivelin e riskut pasi vlerësimi aktual është i bazuar në disa kushte që tashmë janë të ndryshuara. Vlen të merret në konsideratë çdo faktor riskoz i ri që deri tani nuk ka qenë shfaqur dhe çdo faktor riskoz që me situatën aktuale ka një peshë të rëndësishme. Audituesi Ligjor duhet të ndërmarrë hapat e nevojshëm për mbrojtjen nga këta faktorë.
Sigurimi i dosjes së auditimit
Për shkak të ndryshimit të ndalimit të lëvizjes së lirë, Audituesit Ligjorë mund të hasin vështirësi në sigurimin e dosjes së auditimit, pasi klienti mund të ketë mbyllur zyrat apo Audituesi Ligjor e ka të pamundur të udhëtoj deri atje për të bërë inventarizimin fizik.
Në këtë rast Audituesi duhet të shfrytëzojë orarin e lejuar të lëvizjes për të lënë një orar të përshtatshëm dhe për klientin për takim duke qenë të pajisur me të gjitiha masat mbrojtëse të nevojshme.
Në qoftë se audituesi nuk ka mundësi të jetë i pranishëm në numërimin e inventarit fizik ai duhet të bëjë ose të vëzhgojë disa numërime fizike në një datë tjetër dhe të kryejë procedurat e auditimit ndaj transaksioneve ku ai ka qenë i pranishëm. (Ref: SNA 501)
Në qoftë se prania në numërimin e inventarit fizik nuk është e mundur dhe audituesi nuk mund të kryejë procedura alternative auditimi për të marrë evidencë auditimi të mjaftueshme dhe të përshtatshme lidhur me ekzistencën dhe kushtet e inventarëve, ai modifikon opinionin në raportin e audituesit në përputhje me SNA 705 (i rishikuar).
Vijimësia
COVID 19 ka patur ndikim të madh në ekonominë botërore për të gjitha entitetet, disa prej tyre kanë ndërprerë aktivitetin, zinxhirët e furnizimit janë ndërprerë, disa prej aktiveve të tyre janë zhvlerësuar etj. Ky impakt do të vërehet gjithashtu edhe në fluksin e parave, në parashikimet financiare të entitetit dhe në vlerësimin e vijimësisë së saj. Kur përgatiten pasqyrat financiare, menaxhimi duhet të përgatisë dhe një vlerësim për vazhdimin e vijimësisë së entitetit.
Përgjegjësitë e audituesit janë të sigurojë evidencë auditimi të mjaftueshme e të përshtatshme dhe të nxjerrë përfundime në lidhje me përshtatshmërinë e zbatimit nga drejtimi të bazës kontabël të vijimësisë në përgatitjen e pasqyrave financiare dhe bazuar në evidencën e auditimit të siguruar, të arrijë në përfundimin nëse ekziston një pasiguri materiale rreth aftësisë së entitetit për të vazhduar në vijimësi. Këto përgjegjësi ekzistojnë edhe në qoftë se kuadri i raportimit financiar i zbatuar për përgatitjen e pasqyrave financiare nuk përmban një kërkesë të veçantë për drejtimin që të bëjë një vlerësim specifik të aftësisë së entitetit për të vazhduar në vijimësi veprimtarinë në të ardhmen. (SNA 570 (i rishikuar), Vijimesia, paragrafi 6)
Në rastin e një ngjarjeje të tillë cila mund të hedhë dyshime të rëndësishme mbi aftësinë e entitetit për të vazhduar në vijimësi, audituesi duhet të marr evidencë të mjaftueshme dhe të përshtatshme për të përcaktuar nëse ekziston apo jo ndonjë pasiguri materiale mbi aftësinë e entitetit për të vazhduar në vijimësi duke kryer procedura auditimi shtesë, përfshirë marrjen në konsideratë edhe të faktorëve lehtësues. Këto procedura përfshijnë:
- Kur drejtimi nuk ka kryer ende një vlerësim mbi aftësinë e entitetit për të vazhduar në vijimësi, duke i kërkuar drejtimit të bëjë vlerësimin e tij.
- Vlerësimin e planeve të drejtimit për veprime në të ardhmen në lidhje me vlerësimin e tij të hipotezës së vijimësisë, nëse rezultatet e këtyre planeve ka të ngjarë që të përmirësojnë situatën dhe nëse planet e drejtimit janë të zbatueshëm për rrethanat.
- Duke marrë në konsideratë çdo fakt apo informacion tjetër që është bërë i disponueshëm qysh nga data në të cilën drejtimi ka bërë vlerësimin e tij.
- Duke kërkuar deklarime me shkrim nga drejtimi dhe, kur është e nevojshme, nga ata që janë ngarkuar me qeverisjen, në lidhje me planet e tyre për veprime në të ardhmen dhe zbatueshmërinë e këtyre planeve. (Ref: SNA 570, Paragraf 16).
Audituesit Ligjorë duhet të jenë vazhdimisht të informuar mbi ndryshimet më të fundit dhe masave të ndërmarra nga autoritetet përkatëse. Vetëinformimi është po aq i rëndësishëm sa informimi i të tjerëve, andaj çdo informacion të nevojshëm që merrni mos ngurroni ta shpërndani dhe me kolegët tuaj.
Artikull i publikuar nga: Hong Kong Institute of Certified Public Accountants
Burimi: IFAC