Home Ushtrimi i profesionit të audituesit ligjor në Shqipëri

Ushtrimi i profesionit të audituesit ligjor në Shqipëri

 

Sipas Ligjit (të ndryshuar) të Auditimit ushtrimi i profesionit të audituesit ligjor në praktikën publike bëhet në njërën nga format e mëposhtme:

 

  1. në mënyrë individuale;
  2. si një ortak/aksionar pjesëmarrës në kapitalin e një shoqërie audituese.
  3. i punësuar te një tjetër auditues ligjor i regjistruar.

 

Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA) grupon të gjithë audituesit ligjorë dhe shoqëritë audituese, të regjistruara si të tilla në regjistrin publik të IEKA-s.

Legjislacioni për profesionin e audituesit ligjor përcakton rregulla të veçanta për aktivitetin dhe shërbimet profesionale që mund të kryejnë audituesit, të cilat kërkojnë njohuri të veçanta teknike.

Kryerja e këtyre shërbimeve profesionale të auditimit dhe të dhënies së sigurisë bazohet në Standardet Ndërkombëtare të Auditimit të publikuara nga IAASB-ja dhe të përkthyera në shqip nga IEKA.

Një auditim cilësor mund të arrihet vetëm nëse grupi i angazhimit respekton vlerat dhe mban qëndrime etike, ka njohuritë e duhura, zotëron aftësitë profesionale, eksperiencën dhe ndan në mënyrën e duhur kohën dhe burimet e auditimit midis anëtarëve të tij, zbaton një proces rigoroz auditimi dhe procedurat e kontrollit të cilësisë bazuar në rregullat dhe standardet e zbatueshme si dhe raporton dhe komunikon në mënyrën e duhur me palët e interesuara.