
Misioni & Vizioni

IEKA përfaqëson një organizëm të së drejtës private (i përbërë nga anëtarët e tij), të cilit i janë dhënë atribute publike, në funksion të mbrojtjes së interesit publik. Një funksion i tillë publik realizohet kryesisht nëpërmjet promovimit dhe zbatimit të standardeve cilësore profesionale dhe të etikës, mbikëqyrjes dhe rishikimit të cilësisë së punës së anëtarëve.
Në zbatim të Ligjit nr. 10091, datë 05.03.2009 “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të Audituesit Ligjor dhe të Kontabilistit të Miratuar” (i ndryshuar), roli kryesor i Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar është të rregullojë organizimin e profesionit të “Audituesit Ligjor” dhe të sigurojë që anëtarët e tij kryejnë me efektivitet auditimin ligjor të pasqyrave financiare vjetore individuale dhe të konsoliduara të shoqërive tregtare.
Çdo anëtar i IEKA- s në misionin e tij në shërbim të interesit publik, duhet të zbatojë standarde cilësore profesionale dhe etike dhe të marrë rolin e lidershipit, duke ofruar një shërbim dinamik e praktik, i cili kontribuon në një zhvillim ekonomik të qendrueshëm.
Objektivat
- Të sigurojë ushtrimin e profesionit të Audituesit Ligjor në përputhje me ligjin.
- Të mbrojë nderin dhe pavarësinë e anëtarëve.
- Të garantojë formimin cilësor dhe profesional të kandidatëve.
- Të rritë njohjen dhe zbatimin në praktikë të standardeve me cilësi të lartë në të njejtën linjë me zhvillimet ndërkombëtare.
- Të përmirësojë në vijimësi shërbimet në interes të publikut.
Misioni
Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA) është të rregullojë organizimin e profesionit të Audituesit Ligjor, me qëllim që anëtarët e tij të realizojnë auditimin ligjor të pasqyrave financiare vjetore individuale dhe të konsoliduara të shoqërive tregtare në mënyrë cilësore, të efektshme dhe të dobishme.
Vizioni
Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA) është krijimi i një profesioni me vlera të vërteta etike dhe profesionale, që shton besimin në Raportimin Financiar dhe mbron interesin publik.
Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA) ka përgjegjësinë parësore edukimin e kandidatëve për auditues ligjorë dhe zhvillimin e vijueshëm profesional të anëtarëve të tij.
Duke përfaqësuar profesionin e audituesit ligjor, IEKA bën përpjekjet maksimale dhe koordinon veprimtarinë e saj me palët e tjera të interesuara në shumë drejtime duke përfshirë çështje të:
- Përmirësimit të kuadrit ligjor në fushën e profesionit dhe përafrimit me Standardet Europiane e Ndërkombëtare.
- Aktualizimit dhe përkthimit në kohë të standardeve, dhe dokumenteve udhëzuese dhe praktikave ndërkombëtare të auditimit, sigurisë dhe shërbimeve të lidhura.
- Përmirësimit të aftësive për të zbatuar standardet teknike profesionale dhe etike duke rishikuar dhe përditësuar kurrikulat e kontabilitetit dhe auditimit për edukimin profesional dhe atë universitar.
IEKA 2030 – OUR VISION FOR A BRIGHTER FUTURE OF OUR MEMBERS
