Pyetje të shpeshta nga Kandidatët

Home Pyetje të shpeshta

Pyetje të shpeshta për Anëtarët

1. Cilët janë Personat juridikë që duhet të kryejnë auditimin ligjor të pasqyrave financiare?

Detyrohen të kryejnë auditimin ligjor të pasqyrave financiare vjetore, përpara publikimit të tyre, nga auditues ligjorë ose shoqëri audituese:

a) të gjitha shoqëritë tregtare, pavarësisht nga forma e tyre, të cilat zbatojnë standardet ndërkombëtare të raportimit financiar;

b) të gjitha shoqëritë aksionare, të cilat zbatojnë për raportimin financiar standardet kombëtare të kontabilitetit;

c) shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar, të cilat zbatojnë për raportimin financiar standardet kombëtare të kontabilitetit, kur, në mbyllje të periudhës kontabël, për dy vite radhazi, tejkalojnë dy prej tre treguesve të mëposhtëm:

 

  • i. totali i aktiveve të bilancit, në mbyllje të periudhës kontabël përkatëse, arrin ose e kalon shumën prej 50 milionë lekësh;
  • ii. shuma e të ardhurave nga veprimtaria ekonomike (qarkullimi) në atë periudhë kontabël arrin ose e kalon shumën prej 100 milionë lekësh;
  • iii. ka, mesatarisht, 30 të punësuar gjatë periudhës kontabël.

2. Cili autoritet bën emërimin e audituesve ligjorë?

Ligji 10091, neni 42 ka përcaktuar se – për auditimin ligjor të pasqyrave financiare të entiteteve të biznesit caktohen AL, persona fizik, apo shoqëri auditimi, emërimi i të cilëve bëhet çdo vit nga: mbledhja e përgjithshme e aksionarëve për shoqëritë aksionare (SHA), ose nga asambleja e ortakëve për shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar (SHPK). Shoqëritë tregtare, të cilat zbatojnë standardet ndërkombëtare të raportimit financiar (SNRF) dhe të gjitha shoqëritë aksionare, të cilat zbatojnë standardet kombëtare të kontabilitetit (SKK) janë të detyruara që për auditimin ligjor të emërojnë të paktën, një shoqëri auditimi, që ka të regjistruar jo më pak se dy auditues ligjorë; ose dy auditues ligjorë, persona fizikë; një auditues ligjor person fizik dhe një shoqëri auditimi, që ka të regjistruar, të paktën, një auditues ligjor; apo dy shoqëri auditimi, që kanë të regjistruar, përkatësisht, vetëm një auditues ligjor.

 

Procedurat e emërimit të audituesit ligjor apo shoqërisë audituese përcaktohen, sipas rastit, nga rregullat për qeverisjen e shoqërive tregtare, nga ligjet përkatëse, kur shoqëritë veprojnë në sektorë të rregulluar, ose nga autoritetet e mbikëqyrjes së tyre apo aktet që rregullojnë funksionimin e tyre.

 

Gjithashtu, ligji Nr.9723, (05/2007) “Për qendrën kombëtare të regjistrimit” neni 43.3 (b) ka përcaktuar të detyrueshëm regjistrimin e vendimit të emërimit të Al-ve. Nga AL-të kërkohet që të bëhet kujdes që klientët të pasqyrojnë emërimin dhe ndryshimin në emërim në kohën e duhur, në të dhënat e detyrueshme që klienti i deklaron në QKR dhe kjo e fundit i publikon duke i dhënë kështu akses publikut.

3. Sa është periudha e rotacionit?

Audituesi ligjor, që është person fizik dhe audituesi ligjor apo ortaku kryesor në një shoqëri audituese, që është audituesi ligjor përgjegjës për kryerjen e auditimit, në emër të shoqërisë së auditimit, duhet të zëvendësohet për kryerjen e auditimit brenda një periudhe maksimale prej 7 vjetësh nga data e caktimit si auditues ligjor dhe mund të rimarrë pjesë në auditimin e shoqërisë pas mbarimit të një afati kohor prej, të paktën, dy vjetësh.

4. Cili është kufiri kohor për përgatitjen e dosjes së auditimit?

SNKC 1 kërkon që firmat të vendosin politika e procedura, të cilat garantojnë përfundimin në kohë të sistemimit të dosjeve të auditimit. Periudha prej 60 ditësh pas datës së raportit të audituesit, si rregull përbën kufirin limit të kohës, brenda të cilës duhet të përfundohet dhe të sistemohet dosja përfundimtare e auditimit.

 

Pas kryerjes së sistemimit të dosjes përfundimtare të auditimit dhe deri në përfundim të periudhës së parashikuar për ruajtjen e saj, audituesi nuk lejohet të fshijë ose të heqë dokumentet e auditimit të çdo lloj natyre përpara përfundimit të periudhës së ruajtjes së tij.

5. Cila është periudha e ruajtjes së dosjes së auditimit?

SNKC 1 kërkon që firmat të vendosin politika dhe procedura për mbajtjen në ruajtje të dokumentacionit të angazhimit. Periudha e ruajtjes për angazhimet e auditimit si rregull nuk është më e shkurtër se pesë vjet duke filluar nga data e raportit të audituesit, ose nga data e raportit të audituesit të grupit.

6. Nënshkrimi i Raportit të Auditimit?

Raporti i auditimit ligjor do të nënshkruhet nga të paktën njëri prej audituesve ligjorë që kryejnë auditimin në emër të shoqërisë audituese.

7. Cili është autoriteti që kryen kontrollin e cilësisë?

Kontrolli i cilësisë së auditimeve të pasqyrave financiare vjetore të njësive ekonomike realizohet nga Bordi i Mbikëqyrjes Publike. Bordi i Mbikëqyrjes Publike mund të delegojë kryerjen e kontrollit të cilësisë për auditimet e njësive ekonomike që nuk janë me interes publik, tek organizata profesionale e audituesve ligjorë. Një nga objektivat e IEKAs për vitin 2021 është nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit me BMP në të cilën ndër çështjet kryesore është delegimi i kontrollit të cilësisë së auditimeve për Entitetet jo me Interes publik.

8. Është i detyrueshëm njoftimi për ndryshimin e informacionit që përmban regjistri publik?

Audituesi ligjor dhe shoqëria audituese njoftojnë organizatën profesionale të audituesve ligjorë për ndryshimin e informacionit të detyrueshëm për publikim dhe të regjistruar në regjistrin publik sapo ndryshimi të ketë ndodhur.

9. Sa orë kualifikimi të vijueshëm janë të detyrueshme për tu ndjekur?

Audituesit Ligjorë duhet të plotësojnë detyrimin e kualifikimit profesional të vijueshëm në pajtim me programet e shpallura nga Këshilli Drejtues, përmes pjesëmarrjes në seminaret e kualifikimit të vijueshëm kohëzgjatja e të cilave nuk mund të jetë më pak se 40 orë në vit.

10. Kur fillon detyrimi për të plotësuar CPD?

Detyrimi për të kryer kualifikimin e vijueshëm profesional fillon pas pajisjes nga organizata profesionale me numrin e Licensës (kjo është vlefshme edhe për audituesit ligjorë që nuk ushtrojnë profesionin).

11. Kur duhet të dorëzojnë Audituesit Ligjor Pasqyrën e Deklarimit të Misioneve?

Audituesit Ligjor dhe Shoqëritë e Auditimit, kanë detyrimin të dorëzojnë në Institut në formatin hardcopy dhe në mënyrë elektronike në adresën info@ieka.al jo më vonë se data 25 Janar të çdo viti Pasqyrën e Deklarimit të Misioneve e cila përmbledh sipas kategorive, veprimtaritë/misionet e kryera gjatë vitit paraardhës si dhe shpërblimet (honoraret) e marra.

Për të shkarkuar modelin për Pasqyrat e Deklarimit të misioneve klikoni këtu.

12. Kur duhet të dorëzojnë Audituesit Ligjor Pasqyrat Financiare?

Audituesit Ligjor dhe Shoqëritë e Auditimit, kanë detyrimin të dorëzojnë në Institut në formatin hardcopy dhe në mënyrë elektronike në adresën info@ieka.al deri në datën 31 mars të cdo viti pasqyrat financiare të nënshkruara për ushtrimin e mbyllur.

13. Cilat jane detyrimet financiare të Audituesit Ligjor të cilët e ushtrojnë profesionin?

Kuotat e detyrueshme vjetore të pagesës për anëtarësinë përbëhen nga një kuotë fikse dhe një kuotë variabël.

Në zbatim të nenit 29 të Statutit dhe të Vendimit nr. 146 datë 17.12.2020 të Asamblesë së Përgjithshme të Anëtarëve:

  • Kuota fikse është 60.000 lekë dhe afati i pagesës është deri në datë 28 shkurt;
  • Kuota variabël e llogaritur bazuar në shumën e honorareve të faturuara nga angazhimet e kryera, është 0,5% e të ardhurave totale për nivelin e të ardhurave totale nga 0-8 mln lekë dhe 0,3% e të ardhurave totale për nivelin e të ardhurave totale mbi 8 mln lekë dhe afati i pagesës është deri në 20 janar.

 

Për çdo muaj vonesë në pagimin e kuotës, sipas Statutit zbatohet një kamatë vonesë prej 1% në muaj mbi shumën e kuotës së papaguar.

 

Numrat e llogarive bankare të IEKA-s:

Banka Kombëtare Tregtare  Nr Llog: 402034661             IBAN AL30 2051 1021 0346 61CL OTCL ALLA

Intesa SanPaolo Bank           Nr Llog: 1008131801             IBAN AL11 2081 1008 0000 0010 0813 1801

Raiffeisen Bank                       Nr Llog: 0100003298          IBAN AL89 2021 1013 0000 0001 0000 3298

14. Si llogariten detyrimet që kanë anëtarët që ndërpresin ushtrimin e profesionit?

Bazuar në nenin 29.5 te Statutit, anëtarët që largohen, janë të detyruar të paguajnë kuotën fikse përpjestimisht me kohën nga fillimi i vitit deri në muajin e largimit dhe kuotën variabël për misionet që kanë kryer.

15. Cilat janë detyrimet që kanë anëtarët që nuk e ushtrojnë profesionin?

Anëtarët jo-aktivë që nuk janë regjistruar për të ushtruar profesionin, ose janë tërhequr pasi kanë qenë të regjistruar kanë detyrimin të:

  • Paguajnë cdo vit një shumë fikse 8.000 lekë dhe afati i pagesës të së cilës është deri në 28 shkurt.
  • Të ndjekin kualifikimin e vijueshëm profesional. Përpara se të përfshihen në Regjistrin Publik këta individë duhet të kenë përmbushur kërkesat e kualifikimit të vijueshëm. Në rastet kur nuk kanë marrë pjesë në kualifikimin e vijueshëm profesional, ata duhet të testohen për njohuritë sipas sesioneve të munguara përpara se të përfshihen në regjistrin publik.

Kontakt i Shpejtë

Ju duhet ndihmë?

Ju lutemi mos ngurroni të na kontaktoni. Ne do të mund t'iu kthejmë përgjigje brenda 1-2 ditëve pune.

Tel: +355 4 23 46 077
Email: info@ieka.al