Edukimi i kandidatëve gjatë praktikës profesionale
Praktika profesionale do tju japë aftësitë e duhura për tu dalluar në botën reale dhe përvoja që do të fitoni gjatë rrugës do tju ndihmojë ju të përgatiteni për të kaluar në një fazë tjetër në karrierën tuaj.
Kjo është arsyeja përse IEKA ka rishikuar kurrikulën e profesionit. IEKA ka bërë ndryshime për ta bërë kurrikulën e përgatitjes së kandidatëve, pothuajse të njëjtë me atë vendeve më të përparuara europiane.
Kurrikula është hartuar në përputhje me kërkesat e standardeve ndërkombëtare të edukimit (IES) të IAESB dhe përfshin Standardet Ndërkombëtare të Auditimit, të Dhënies së Sigurisë, Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit, Etika Profesionale, Legjislacionin dhe Taksat në RSH.
Gjatë periudhës së praktikës, kandidatët duhet të kalojnë me sukses të gjitha provimet teorike të pambuluara nga programi i tyre i studimit në shkollën e lartë.
Kandidatët për auditues ligjorë, pasi kanë përfunduar studimet e larta në nivelin master, kryejnë praktikën profesionale e cila zgjat jo më pak se 3 vjet. Gjatë periudhës së praktikës profesionale kandidatët trajnohen dhe testohen për 6 module sipas kurrikulës së miratuar. Provimi përfundimtar përfshin 4-6 teste me shkrim.
Skema e Edukimit | |||
Seksioni | Periudha e Edukimit Universitar | Periudha e Praktikës Profesionale | Provimi Përfundimtar |
Auditues Ligjor | 3-5 vite (6 module) | 3 vite (6 module) | 4-6 teste me shkrim |
Këshilli Drejtues i IEKAs, vlerëson pajtueshmërinë e edukimit universitar të kandidatëve me kërkesat e vendosura në programin e kurrikulës së profesionit. Hyrja në provimin përfundimtar të aftësive profesionale në çdo rast do të bëhet vetëm pasi të plotësohen kërkesat e parashikuara në programin e edukimit.
Në vitin 2017 Këshilli Drejtues ka miratuar kurrikulën e plotë të profesionit, veçanërisht zhvillimin e moduleve profesionale. Ndryshimet e Ligjit të Auditimit i japin përgjegjësinë për edukimin me modulet profesionale Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar të Shqipërisë. Ligji shprehet qartësisht që IEKA ka përgjegjësinë të zhvillojë të gjitha modulet profesionale që përfshijnë raportimin financiar, standardet e auditimit, etikën profesionale, dhënien e sigurisë, performancën menaxheriale, legjislacionin tregtar të biznesit, legjislacionin tatimor, etj.
Kurikula e Profesionit të Audituesit Ligjor | ||
Niveli i parë | Niveli i dytë | Niveli i tretë |
Njohuri dhe aftësi bazë | Njohuri dhe aftësi mesatare | Njohuri dhe aftësi të avancuara |
Teoria Kontabël & Kontabiliteti | Raportimi Financiar i Ndërmjetëm | Raportimi Financiar i Avancuar |
Parimet e Tatim Taksave | Qeverisja & Strategjia | Tatime taksa – nivel i avancuar |
Mjedisi i Biznesit dhe Organizativ | Kontabiliteti i Drejtimit | Legjislacioni i avancuar |
Kontabiliteti i Kostos | Drejtimi Financiar | Drejtimi i Performancës i Avancuar |
Parimet Ligjore | Auditimi e Dhënie Sigurie | Auditim, Dhënie Sigurie i avancuar |
Etika Profesionale |
Gjatë muajit korrik të vitit 2019, kandidatët e vitit të parë kanë nisur trajnimet sipas kërkesave të vendosura në kurrikulën e profesionit të Audituesit Ligjor të cilat vazhdojnë në vitet në vijim. Programi i moduleve profesionale që përdoret nga Instituti ofron mundësi edukimi përmes qasjeve bashkëkohore të mësim-dhënies dhe shkëmbimeve dimensionale të përvojave. E ndërthurur me praktikën profesionale me kohëzgjatje normale 3 vite kalendarike, ky program do të zhvillohet për kandidatët që do të jenë pjesëmarrës në leksione/seminare tashmë të zhvilluara online, diskutime mbi raste praktike gjatë të cilave do të shkëmbejnë eksperiencat e tyre.
Kandidatët e miratuar të cilët zhvillojnë praktikën profesionale dhe njëkohësisht ndjekin edukimin profesional të avancuar përmes trajnimeve, leksioneve, seminareve dhe testimeve përkatëse për njohuritë e aftësite e tyre profesionale, sipas moduleve që përmban programi.
Programi i studimeve post master për marrjen e titullit “Auditues Ligjor” realizohet nga dhe pranë Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA) me kohëzgjatje normale jo më pak se 3 vite kalendarike;
Disiplinat dhe veprimtaritë e tjera formuese, që zhvillohen në këtë program studimi, përfshijnë modulet profesionale të një niveli të avancuar, si më poshtë:
- Moduli Raportimi Financiar i Avancuar;
- Moduli Taksimi i Avancuar;
- Moduli Legjislacioni i Biznesit i Avancuar;
- Moduli Auditim dhe Dhënie Sigurie i Avancuar
- Moduli Drejtimi i Performancës i Avancuar
- Moduli Etika Profesionale.
Programi parashikon zhvillimin e deri dy moduleve profesionale në vit. Kandidati mund të ndjekë të pavarura nga njëra- tjetra, secilin nga modulet në pikat 1, 2 dhe 3 më sipër. Për të vijuar me modulet në pikat 4, 5 dhe 6, kandidati duhet të ketë përfunduar më parë me sukses ndjekjen e tre moduleve të para, si dhe detyrimet përkatëse për këto module.
Frekuentimi i leksioneve të moduleve profesionale është i detyrueshëm në masën 75%, ndërsa frekuentimi i seminareve është i detyrueshëm në masën 80%.
Programi i studimeve post master shoqërohet me kryerjen e praktikës profesionale me kohëzgjatje normale të paktën 3 vite kalendarike, e cila vlerësohet çdo gjashtë muaj nga drejtuesi i praktikës profesionale dhe çdo fund viti nga KEKV dhe KD;
Përfundimi me sukses i programit të studimit profesional, së bashku me përmbushjen e kërkesave të praktikës profesionale, i jep mundësinë kandidatit të regjistrohet për t’ju nënshtruar testimeve në kuadrin e provimeve përfundimtare të aftësive profesionale për marrjen e titullit “Auditues Ligjor”.