IFAC publikoi sot përgjigjen e saj ndaj konsultimit të Accountancy Europe, Hartimi i Standardeve të Ndërlidhura për Raportimin e Korporatave, e cila adreson evolucionin e hartimit të standardeve për të përmirësuar raportimin e korporatave në nivelin global.
Sistemi aktual i raportimit të korporatave duhet të zhvillohet shpejt në mënyrë që të merret me sfidat e paraqitura nga kërkesat e juridiksioneve të ndryshme dhe me mungesën e standardeve të dakortësuara gjerësisht në fusha të ndryshme përtej raportimit financiar. Rezultati është cilësi e ndryshme dhe mungesë krahasueshmërie, duke çuar kështu në kosto më të larta dhe shpërndarje joefiҫente të kapitalit si për kompanitë ashtu edhe për investitorët.
Siç tregohet në këndvështrimin e IFAC-ut për përmirësimin e raportimit të korporatave, një zgjidhje globale është e nevojshme për të dhënë informacione të rëndësishme, të besueshme dhe të krahasueshme.
Sipas Kevin Dancey, Drejtorit Ekzekutiv të IFAC-ut, "Ekosistemi aktual i raportimit nuk i shërben më së miri interesave të tregjeve të kapitalit, kompanive ose palëve të interesuara të tyre. Opsionet e vendosura nga Accountancy Europe për të ndryshuar sistemin e raportimit të korporatave janë të dobishme për të çuar dialogun drejt një zgjidhje globale dhe koherente. Ne mezi presim ta diskutojmë këtë ҫështje edhe me palët e interesuara. "
Si përgjigje ndaj konsultës, IFAC miratoi gjashtë rekomandime për të siguruar një strukturë të integruar të raportimit global. Këto përfshijnë zhvillimin e një qasjeje globale në hartimin e standardeve ndërkombëtare, një kuadër konceptual për raportimin e korporatave dhe një strukturë mbikëqyrëse.
Një qasje globale ndaj këtyre tre elementëve – mbikëqyrjes, kuadrit dhe standardeve – është e nevojshme menjëherë për të përmirësuar raportimin e korporatave. Ndërsa kjo është një kohë sfiduese për investitorët, kompanitë dhe tregjet e kapitalit, konkurrenca për kapital do të bëhet më sfiduese dhe kërkesa për informacione të rëndësishme dhe të sakta rreth organizatave do të nevojitet për të dhënë informacione në mënyrë të besueshme në lidhje me vendimet për shpërndarjen e kapitalit, vlerësimet e investitorëve dhe palëve të tjera të interesuara në krijimin e vlerës afatgjatë.
Reagimet në lidhje me këtë konsultim priten deri më 30 Prill. IFAC inkurajon palët e interesuara që të kontribuojnë në këtë konsultim të vlefshëm.