Mbledhja e Përgjithshme Vjetore e Anëtarëve të Institutit datë 28.06.2018

Në datën 28 Qershor 2018, në ambjentet e Universitetit Ismail Qemali, Vlore u zhvillua Asambleja e Përgjithshme e Anëtarëve të IEKAs e cila përfaqëson organin më të lartë
vendimmarrës të Institutit. Në këtë mbledhje u shqyrtuan Raportet dhe Propozimet e Këshillit Drejtues të IEKAs.

Duke vijuar të jetë lider i profesionit të kontabilitetit dhe të auditimit në Shqipëri, IEKA ka ndjekur me vëmendje zhvillimet më të fundit kombëtare dhe ndërkombëtare. Në
aspektin kombëtar, mund të përmendim kontributin për ofrimin e rrugëzgjidhjeve për formalizimin e ekonomisë, për disa ndryshime në aktet ligjore për raportimin financiar,
kontributin me sugjerime të shumta në lidhje me ndryshimet në legjislacionin tatimor, rregullat dhe procedurat tatimore, legjislacionin e biznesit, standardet e kontabilitetit, etj. IEKA
vijoi të mbetet e angazhuar fort në përmirësimin e marrëdhënieve me të gjitha palët e interesuara brenda vendit, siç janë organizatat e profesionit kontabël dhe të ngjashme, si dhe në vlerësimin me rregullatorët dhe organizatat e biznesit, etj, me qëllimin e vetëm përmbushjen më të mirë të misionit të saj në mbrojtje të interesit publik dhe të profesionistit.
Një konsideratë të veçantë, IEKA i kushtoi gjatë 2017 marrëdhënieve me organizatat homologe jashtë vendit, me të cilat ka një bashkëpunim tradicional, dhe thellimit të zgjerimit të kooperimit me organizatat nga rajoni i Ballkanit, Europës juglindore, nga vendet e Mesdheut, dhe më gjerë.
Këtu mund të përmendim pjesëmarrjen në aktivitete të IFAC-ut EFAA, FCM, etj.

Roli i Institutit pavarësisht ndryshimeve do të vijojë të jetë shërbimi në interes të anëtarit. IEKA do të vijojë të mbikëqyrë sjelljen profesionale të anëtarit, duke bërë që të rritet besimi publik tek profesioni. Në kushtet e zhvillimit intensiv del domosdoshmëri që profesionistët të vazhdojnë përpjekjet e nisura dhe të bëjnë ndryshimet e duhura strukturore që i përgjigjen shtimit të llojshmërisë së shërbimeve profesionale; t’i shohin marrëdhëniet me klientët nga një këndvështrim i shtimit të vlerës në vijimësi. Instituti i Ekspertëve do të përmirësojë më tej organizimin e tij dhe do të vazhdojë të punojë me qëllim që anëtarët të informohen vazhdimisht me të rejat në ndryshimet e legjislacionit vendas, veçanërisht të atij tatimor, ku ndryshimet janë të shpeshta; që ata të kenë në dispozicion literaturën profesionale, të aktualizuar dhe mundësisht të përkthyer në shqip; të kenë akses në modele (template) të materialeve të punës së përditshme, etj. të përdorin modele kompjuterike për lehtësimin e punës, përfshirë procedura të automatizuara të punës në praktikë, siç është programi PACK PEE që do të nisë të zbatohet që nga Shtatori i vitit 2018. 

Pas diskutimeve, në përfundim të Mbledhjes, u procedua me votimin ku u miratuan vendimet, bazuar në rendin e ditës.