"Një Kuadër për Kualifikimin Profesional për Kontabilistët dhe Audituesit Shqiptarë"
Në këtë event, morën pjesë drejtuesit e Kompanisë AARC Ltd Irlandë, drejtues dhe anëtarë të organizmave profesionale të kontabilitetit dhe auditimit, drejtues dhe anëtarë të departamenteve të kontabilitetit të Fakulteteve të Ekonomise të UT-se dhe UB, kandidatë për EKR, studentë, etj.
Gjatë Konferencës u bë prezantimi i rezultateve të Komponentit 4 të Projektit për përmirësimin e Raportimit Financiar të Shoqërive.
Aktiviteti u përshëndet nga Drejtori i Projektit të BB Mr. Patrick Corrigan dhe Kryetari i Bordit të Mbikqyrjes Publike, Zj. Adriana Berberi. Kontribuan me prezantime e diskutime Konsulentët e Projektit Mr. Ian Ritchies, Mr. Bill McCabe, Kryetari i KD të IEKAs Z. Hysen Cela, Kryetari i KD të IKM, z. Julian Naqellari.
Aktivitetet e realizuara në komponentin 4 i cili është përqëndruar në rishikimin dhe përditësimin e kurrikulave të kontabilitetit dhe auditimit për edukimin universitar dhe çertifikimin profesional me qëllim përmirësimin e aftësive për pajtueshmëri me standardet si të kontabilitetit ashtu edhe të auditimit, ishin:
- Kryerja e një vlerësimi të programeve të edukimit të realizuara nga universitetet dhe organizatat profesionale për profesionin e kontabilistit dhe audituesit;
- Përmirësimi i kurrikulave të kontabilitetit dhe auditimit të universiteteve dhe organizatave profesionale;
- Rishikimi i kërkesave për kualifikim për profesionin e audituesve ligjorë duke i krahasur me kriteret e Standardeve Ndërkombëtare të Edukimit të IFAC (SNE) dhe Direktivën e Auditimit Ligjor;
- Organizimi i aktiviteteve me aktorët lokalë për promovimin e përfitimeve nga kurrikulat e reja.
Gjatë Konferences u konkludua se në lidhje me parametrat e kornizës së kualifikimit profesional, ka rëndësi respektimi i parametrave në vijim:
- Korniza duhet të jetë në pajtim me kërkesat e Direktives 8te të Auditimit Ligjor;
- Korniza duhet të jetë në pajtim me standardet dhe të mbulojë kërkesat e Standardeve Ndërkombetare të Edukimit (SNE-të) të Federates Ndërkombëtare të Kontabilistëve (IFAC);
- Korniza e kualifikimit profesional duhet të zhvillohet në mënyrë që të përfshije të gjitha nivelet e strukturave kualifikuese shqiptare.
Një aspekt i rëndësishëm i kësaj reforme është forcimi i lidhjeve akademike dhe profesionale për të zhvilluar një program të integruar trajnimi për edukimin dhe kualifikimin profesional.