IAASB PROPOZON MODERNIZIMIN E STANDARDIT TË AUDITIMIT TË GRUPIT NË MBËSHTETJE TË CILËSISË SË AUDITIMIT

Bordi Ndërkombëtar i Standardeve të Auditimit dhe Sigurisë (IAASB) ka publikuar draftin e propozuar të Standardit Ndërkombëtar të Auditimit (SNA) 600 (i rishikuar), Konsideratat e Veҫanta – Auditimet e Pasqyrave Financiare të Grupit (duke përfshirë punën e Audituesit të Entitetit të Kontrolluar).

SNA 600 (i rishikuar) i propozuar merret me konsideratat e veçanta për auditimet e pasqyrave financiare të grupit (auditimet e grupit). Auditimet e grupit shpesh janë më komplekse dhe sfiduese sesa auditimet e një entiteti të vetëm sepse një grup mund të ketë shumë entitete ose njësi ekonomike në vende të ndryshme dhe audituesit e entitetit të kontrolluar mund të përfshihen.

Sipas Tom Seidenstein, Kryetarit të IAASB-së, ky standard i propozuar është shumë i rëndësishëm sepse shumë prej auditimeve të sotme janë auditime të grupit, duke përfshirë auditimet e organizatave më të mëdha dhe më komplekse në të gjithë botën. Standardi i rishikuar dhe i propozuar adreson çështje të rrezikut të cilësisë të identifikuara nga  rregullatorët e auditimit dhe përfitimet nga kontributi i një numri të madh të palëve të interesuara.

Standardi i propozuar paraqet një metodë të zgjeruar të bazuar në rrezik për planifikimin dhe kryerjen e auditimit të grupit. Kjo metodë fokuson vëmendjen dhe përpjekjen e grupit të angazhimit në identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve të anomalisë materiale të pasqyrave financiare të grupit, si edhe në hartimin dhe kryerjen e procedurave të mëtejshme të auditimit për t'iu përgjigjur këtyre rreziqeve të vlerësuara. Standardi i propozuar pranon se audituesit e entitetit të kontrolluar mund të jenë, dhe shpesh janë, të përfshirë në të gjitha fazat e auditimit të grupit. Në këto rrethana, standardi i propozuar thekson rëndësinë e përfshirjes së grupit të angazhimit në punën e audituesit të entitetit të kontrolluar.
Përveҫ këtyre, standardi i propozuar:

  • Qartëson objektin dhe zbatueshmërinë e standardit.
  • Thekson rëndësinë e ushtrimit të skepticizmit profesional gjatë auditimit të grupit.
  • Qartëson dhe përforcon se të gjitha SNA-të duhet të zbatohen në një auditim të grupit përmes krijimit të lidhjeve të forta me SNA-të e tjera, në veçanti me SNA 220 (i rishikuar), SNA 315 (i rishikuar, 2019) dhe SNA 330 të propozuar.
  • Përforcon nevojën për komunikim dhe ndërveprim të fortë midis skuadrës së grupit të angazhimit, partnerit të grupit të angazhimit dhe audituesve të entitetit të kontrolluar.
  • Përmban udhëzime të reja për testimin e kontrolleve të zakonshme dhe kontrolleve që lidhen me aktivitetet e përqendruara.
  • Përmban udhëzime të zgjeruara sesi të adresohen kufizimet në aksesimin e njerëzve dhe informacioneve.
  • Zgjeron konsideratat e veçanta në fushat e tjera të auditimit të grupit, duke përfshirë materialitetin dhe dokumentacionin.

Duke marrë parasysh ndikimin e COVID-19, IAASB nuk po zbaton periudhën normale të komenteve për konsultime publike të vendosur nga Bordi prej 120 ditësh, por drafti i paraqitur i SNA 600 (i rishikuar) i propozuar është i hapur për komente publike deri në 2 tetor 2020. 

IAASB fton të gjithë palët e interesuara të komentojnë mbi Draftin e Paraqitur përmes website-it të IAASB-së. Për ta realizuar këtë, klikoni këtu.