Disa kompani dhe auditues po përballen gjithashtu me vështirësi praktike në përgatitjen e pasqyrave financiare dhe kryerjen e auditimeve. FRC parashikon se kjo do të ndikojë në mënyrën në të cilën firmat e auditimit kryejnë auditimin e këtyre kompanive, për shkak të kufizimeve, në udhëtimet, takimet dhe aksesit në territoret e kompanive në disa juridiksione, dhe të nevojës për të zhvilluar procedura alternative të auditimit për të grumbulluar evidencën e nevojshme të auditimit.
FRC është e shqetësuar për faktin se situata aktuale nuk duhet të dëmtojë kryerjen e auditimeve me cilësi të lartë. Auditimet duhet të vazhdojnë të jenë në pajtueshmëri të plotë me standardet e kërkuara. Në rrethanat aktuale, për kryerjen e auditimeve mund të kërkohet kohë shtesë, e cila ka shumë rëndësi, të merret parasysh, madje edhe me rrezikun e vonesës së raportimit nga kompania.
FRC aktualisht po zhvillon komunikime javore me firmat më të mëdha të auditimit në Mbretërinë e Bashkuar dhe, nëse do jetë nevoja do ta rrisë frekuencën e komunikimit. Ajo po vlerëson edhe këshillat dhe udhëzimet shtesë që mund të jenë të nevojshme për të mbështetur profesionin e auditimit në kryerjen e auditimeve në muajt e ardhshëm.
Në këtë periudhë audituesit duhet të vleresojnë ndikimin e COVID-19 në:
- Vlerësimin e rrezikut të audituesit dhe nëse ai ka nevojë të rishikohet;
- Mënyrën se si audituesi mbledh evidencën e mjaftueshme dhe të përshtatshme të auditimit (evidencën e nevojshme të auditimit), duke pranuar faktin që metoda e planifikuar e auditimit mund të ketë nevojë të ndryshohet dhe të kryhen procedura alternative, veçanërisht në angazhimet e auditimit te grupit të kompanive. Audituesi duhet të ketë mundësinë të mbledhë evidencën e nevojshme për të qenë në gjendje të raportojë ose të marrë në konsideratë modifikimin e opinionit të auditimit;
- Mënyrën se si audituesi i grupit të kompanive propozon ta rishikojë punën e audituesve individualë për të përmbushur kërkesat e standardeve, duke përfshirë vleresimin e faktit nëse mund të përdoret kryerja e procedurave alternative: për shembull, kur ka kufizime në udhëtim;
- Vlerësimi i audituesit për vijueshmërinë dhe perspektivat e një kompanie të audituar, nisur nga fakti qe pasiguria në lidhje me ekonominë globale dhe pamja aktuale për shumë kompani është rritur;
- Mjaftueshmëria e informacioneve shpjeguese në shënimet e bëra nga drejtimi në lidhje me ndikimin në kompani të COVID-19, në mënyrë që përdoruesit e pasqyrave financiare të informohen siç duhet, se janë përshkruar dhe perspektivat e kompanisë dhe mënyrat se si mund të ndikohet ajo, duke njohur shkallën e lartë të pasigurisë;
- Nevoja që audituesi të rivlerësojë aspektet kryesore të auditimit të tij, si rezultat i situatës që ndryshon shpejt, duke ditur se ky vlerësim do të bëhet deri në momentin e nënshkrimit të raportit të audituesit dhe mund të ketë nevojë për sigurimin e evidencës dhe informacioneve të mëtejshme nga drejtimi. Kur rrethanat aktuale kanë pasur një ndikim të rëndësishëm në kryerjen e auditimit, audituesi do të duhet të vleresojë mënyrën se si ta shpjegojë këtë në raportin e tij, për shembull, duke e raportuar këtë si një çështje kryesore të auditimit.
Audituesit gjithashtu do të duhet të angazhohen me entitetet që ata auditojnë për të siguruar që:
- Audituesi vendos pritshmëri të qarta përsa i përket nivelit të informacioneve shpjeguese në shënime, të cilat do të paraqiten në raportet vjetore për të komunikuar ndikimin dhe rrezikun e COVID-19 në kompani;
- Kompanitë, dhe veçanërisht komitetet e tyre të auditimit, e kuptojnë se është thelbësore që audituesit të kenë kohën dhe mbështetjen e mjaftueshme për të kryer punën e tyre sipas një standardi të duhur, duke përfshirë rivlerësimin e punës së kryer për të reflektuar rrethanat e ndryshuara – në disa raste, kjo mund të kërkojë që kompanitë të rishikojnë afatet e raportimit. Kur audituesit nuk janë në gjendje të sigurojnë evidencën e mjaftueshme dhe të përshtatshme të auditimit për të mbështetur auditimin e tyre, ata do të duhet të marrin parasysh modifikimet e nevojshme për opinionin e auditimit.
Për më shumë, klikoni këtu.