Trajnime online për kandidatët e titullit Auditues Ligjor

Në vijim të realizimit të programit të edukimit të kandidatëve për titullin Auditues Ligjorë, Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA) ka nisur ditën e premte datë 5 qershor 2020 zhvillimin e trajnimeve online për kandidatët e vitit të parë 2020.

Kandidatët e vitit të parë gjatë vitit 2020 do të zhvillojnë trajnime në fushën e Standardeve Kombëtare të Kontabilitetit dhe më tej do të vijojnë me ndjekjen e leksioneve dhe seminareve të modulit Raportimi Financiar i Avancuar (Advance Financial Reporting -AFR).

Përvecse të gjenduar në kushtet e distancimit social, IEKA synon të vijojë realizimin e trajnimeve online, në të njëjtën linjë me zhvillimet më të reja në fushën teknologjike duke ofruar më shumë mundësi për anëtarët dhe kandidatët e saj.

Zhvillimi i trajnimeve online po bëhet më i zakonshëm se kurrë, kjo për shkak të lehtësirave që zhvillimet teknologjike po ofrojnë. Tashmë aksesushmëria në trajnime është më e lehtë, kandidatët mund të ndjekin leksionet/seminaret kudo që ato ndodhen nëpërmjet kompjuterave apo smartphoneve të tyre. Një tjetër lehtësi e këtyre trajnimeve është edhe arkivimi e regjistrimi i materialeve dhe diskutimeve të drejtepërdrejta, lehtësisht të aksesueshme për shkarkim dhe printim në çdo kohë.

Struktura e Edukimit ka ndërmarrë të gjitha masat organizative të nevojshme dhe vijon të ofrojë suport për të gjithë kandidatët dhe lektorët e angazhuar.

Trajnimet e vazhdueshme janë të rëndësishme jo vetëm për zhvillimin profesional të kandidatëve, por gjithashtu ndikojnë pozitivisht në cilësinë e shërbimeve që do të ofrohen prej tyre në të ardhmen.

Duke nisur nga data 18 qershor 2020, do të nisin edhe trajnimet online për kandidatët e vitit të dytë të praktikës profesionale.