Informacion i përgjithshëm
Në kuadrin e akteve të reja nënligjore ligjore të miratuara nga KQZ-ja për zgjedhjet e ardhshme lokale, partitë politike do të kenë detyrimin për të përfshirë në raportet e tyre financiare pranë KQZ së, edhe të ardhurat dhe shpenzimet e kryera nga kandidatët për kryetarë bashkie për zgjedhjet lokale. Për të ndihmuar subjektet zgjedhore që të raportojnë në përputhje me detyrimet ligjore, NDI do të ofrojë mbështetje për KQZ-në për të trajnuar stafin financiar të subjekteve zgjedhore nga degët e partive dhe vetë kandidatët.
Qëllimi i trajnimeve
Trajnerët e përzgjedhur fillimisht do t'i nënshtrohen një programi Trajnimi për Trajnerë, për t'u mundësuar atyre të pajisen me njohuritë e nevojshme për të zhvilluar pastaj trajnimet për subjektet zgjedhore në lidhje me kuadrin ligjor që rregullon financimin e partive politike dhe raportimin e subjekteve zgjedhore, përfshirë atë të kandidatëve. Trajnerët e përzgjedhur do të kenë të gjithë mbështetjen logjistike dhe organizative nga ana e KQZ-se dhe NDI. Datat e angazhimit për të gjithë programin, përfshirë Trajnimin për Trajnerë dhe trajnimet në rajone, parashikohen afërsisht 4 deri 5 ditë. Trajnerët do të kontraktohen në bazë të kontratës së shërbimeve individuale dhe shpërblimi financiar do të përcaktohet pas procesit të përzgjedhjes.
Kualifikimet e kërkuara
• Diplomë universiteti mundësisht në degën financë/ekonomi, juridik apo në fusha të tjera të ngjashme;
• Minimum dy vjet përvojë në profesionet përkatëse;
• Aftësi për të vepruar në mënyrë profesionale dhe për të ofruar trajnime interaktive për audiencën e synuar;
• Aftësi të mira komunikimi dhe aftësi për t’iu përgjigjur pyetjeve që mund të ngrihen gjatë trajnimit;
Kriteret/Profili i trajnerëve
• Individë nga shoqëria civile ose të tjerë të angazhuar më parë me zgjedhje ose të përfshirë në monitorimin e zgjedhjeve;
• Kontabilistë të certifikuar.
• Të mos jetë anëtar/kandidat në zgjedhje i ndonjë partie politike.
• Të ketë mundësi udhëtimi jashtë Tirane dhe të punojë në fundjavë.
Procesi i aplikimit
Individët e interesuar duhet të dorëzojnë dokumentet e mëposhtme:
• Një CV të hollësishme;
• Një letër motivuese që tregon se si eksperienca e punës apo formimi profesional janë të lidhura me kriteret e mësipërme
• Një letër reference ose dy kontakte të cilët do të ishin të gatshëm të japin një referencë.
Ju lutemi dërgoni aplikimin tuaj me e-mail tek: mkamolli@ndi.org
Afati për paraqitjen e dokumenteve të kërkuara është 2 Maj, 2019. Aplikimet do të shqyrtohen nga një komision përzgjedhës i përbërë nga NDI dhe KQZ. Vetëm kandidatët e përzgjedhur do të ftohen për një intervistë.