Në vijim të realizimit të programit të edukimit të kandidatëve për marrjen e titullit Auditues Ligjorë, kandidatët e vitit të parë (2019) zhvilluan më datën 12 shkurt 2020 testimin e ndërmjetëm lidhur me zhvillimin e modulit Raportimi Financiar i Avancuar (Advance Financial Reporting -AFR) si dhe për njohuritë e marra gjatë trajnimit në fushën e Standardeve Kombëtare të Kontabilitetit (SKK).
Në programin e edukimit profesional të kandidatëve përfshihen të gjitha kërkesat e Standardeve të Edukimit të IFAC (IES), ku bëjnë pjesë Standardet Ndërkombëtare të Auditimit, Dhënies së Sigurisë, Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit dhe Standardet e Etikës Profesionale.
Duke nisur nga viti 2019, Insituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar ka nisur trajnimin i kandidatëve për Auditues Ligjor bazuar në kurrikulën e re të profesionit, duke i dhënë mundësinë shumë të rinjve për t’u kualifikuar, nëpërmjet përdorimit të metodave dhe literaturave bashkëkohore të mësimdhënies.
Për herë të parë gjatë këtij viti trajnimet kanë nisur të zhvillohen në formën e leksioneve dhe seminareve, me qëllim nxitjen e diskutimeve dhe shkëmbimet e eksperiencave midis kandidatëve.
Gjatë vitit 2019, kandidatët e vitit të parë janë trajnuar në fushën e Standardeve Kombëtare te Kontabilitetit, si dhe kanë nisur trajnimet e modulit të Raportimit Financiar të Avancuar lidhur me:
- Përgatitjen e Pasqyrave Financiare –Kuadri Konceptual;
- Etikën Profesionale;
- Të ardhurat (SNRF 15);
- Aktivet Afatgjata, bujqësore dhe inventarët;
- Qiratë Financiare (SNRF 16);
- Përfitimet e punonjësve dhe pagesat e bazuara në aksione (SNRF 2);
- Kurset e kembimit dhe ngjarjet pas datës së bilancit, provizionet dhe detyrimet e kushtëzuara.
Njohurite e marra deri më tani në këtë modul, janë fokusuar dhe do të vijojnë të fokusohen në Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Finanicar.
Trajnimet për pjesën e dytë të këtij moduli parashikohet të vijojnë në muajt në vijim me fokus kryesisht në trajtimin e temave si më poshtë.
- Instrumentat Financiare;
- Kontabiliteti i grupit (grupet bazë dhe grupet komplekse);
- Ndryshimet në strukturën e grupit, riorganizimi i tij;
- Raportimi i performancës dhe vlerësimi i saj;
- Raportimi i segmenteve, etj.
Gjithashtu më datën 11 shkurt 2020, u zhvillua testimi hyrës për të gjithë kandidatët e miratuar me Vendim të Keshillit Drejtues të IEKAs të cilët fillojnë praktikën profesionale në Janar 2020. Sipas Rregullores së Edukimit dhe Kualifikimit Profesional, kandidatët të cilët aplikojnë për tu regjistruar në praktikën profesionale i nënshtrohen fillimisht një testimi me shkrim lidhur me njohuritë e formimit të përgjithshëm dhe njohuritë bazë në fushën e kontabilitetit e financës.
Kandidatët fitues të këtij testimi hyrës do të vijojnë trajnimet në fushën e Standardeve Kombëtare të Kontabilitetit, si dhe modulin e Raportimit Financiar të Avancuar.