Shpresojmë që ky komunikim tju gjejë me shëndet të mirë ju, familjet dhe bashkëpunëtorët tuaj.
Këto ditë ne jemi të gjithë të shqetësuar nga efektet e koronavirusit COVID 19.
Masat e para duhet të jenë për shëndetin dhe sigurinë tuaj të përgjithshme.
Ashtu sic ju kemi informuar dhe jeni bërë me dije, si IEKA edhe organizatat e KM , firmat e kontabilitetit dhe auditimit, dhomat e tregëtisë dhe profesionistë kanë kërkuar pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve shtyrjen e afatit të deklarimit të Pasqyrave Financiare 2019 dhe Deklaratave Tatimore. Jemi në pritje të daljes së vendimit nga Qeveria Shqiptare në lidhje me sa më sipër.
Sipas informacioneve, në këtë situatë shumë nga bizneset e vogla dhe të mesme janë të shqetësuar për financat e tyre. Ata kanë dhe do të kenë nevojë për këshillat e profesionistëve për të kaluar këtë situatë të vështirë.
Ne si organizata profesionale, por edhe anëtarët tanë, duhet të inkurajojmë bizneset dhe ti ndihmojmë ato që të dalin nga kjo situatë. Koordinimi i ngushtë i ekipeve të angazhimit të auditimit, specialistëve dhe klientëve është i rëndësishëm si kurrë më parë. Audituesit duhet të komunikojnë me klientët e tyre për të kuptuar sfidat e ardhura nga COVID-19.
Disa nga këshillat e përgjithshme dhe masat që mund të këshillojmë ne si profesionistë për një menaxhim më të mirë financiar, vijnë edhe nga iniciativat e organizatave profesionale ndërkombëtare si IFAC, EFAA e FCM në të cilat IEKA është anëtar.
Në komunikimet e këtyre organizatave ka këshilla se si profesionistët në këtë situatë duhet të mësojnë nga njëri-tjetri dhe duhet të mbështesin njëri-tjetrin.
Organizata Botërore e Shëndetsisë dhe Qeveritë vazhdojnë të vënë theksin të shqetësuar në ndjekjen e politikave të distancimit social për të frenuar përhapjen e COVID 19.
Minimizimi i pranisë fizike në zyrë dhe organizimi i punës në distancë ka vështirësuar dhe ndryshuar midis të tjerash edhe punën e kontabilistit dhe audituesit ligjor.
Sygjerohet kryerja e punës në distancë dhe organizimi i punës duke përdorur video, telefon, chat, e-mail dhe minimizuar takimet me stafin nga 1 herë në javë ose 1 herë në muaj si dhe kryerja e procedurave alternative të auditimit.
Kërkohet mbështetje për bizneset e vogla dhe të mesme (BVM) që përballen me mungesë dhe crregullime të mëdha likujditeti vecanërisht në sektorë të goditur më rëndë si transporti, turizmi, edukimi privat në kopshte e shkolla, etj.
Ndër masat urgjente që mund të ndihmojnë bizneset e vogla dhe të mesme mund të jenë: reduktimi i detyrimeve tatimore, heqja dorë nga masat ndëshkuese, ndihma financiare e biznesit me grande ose kredi të buta, etj.
Për të ndihmuar bizneset e vogla dhe të mesme mund të përgatiten:
- Udhëzime për mënyrën si duhet vepruar për menaxhimin financiar,
- Lista me faktorët që do ndikojnë në rritjen e bizneseve,
- Përhapja e praktikave më të mira.
Në disa vende të Europës, përfshirë edhe vendin tonë, Kontabilistët dhe Audituesit Ligjorë kanë kërkuar shtyrjen e afateve të pagesave të kontributeve sociale (sigurime shoqërore), TVSH, detyrime të tjera tatimore ose reduktim të tyre.
Firmat e kontabilitetit dhe auditimit po përdorin software për tu takuar me klientët përmes videos, telefonit apo internetit.
Udhëzime për mënyrën e realizimit të Raportimit financiar dhe auditimit në distancë.
COVID-19 do të vazhdojë të testojë aftësinë e subjekteve raportuese, audituesve dhe kontabilistëve për të mbetur të shkathët përballë sfidave në zhvillim për të siguruar që detyrimet e raportimit janë përmbushur, dhe se interesat e aksionarëve dhe investitorëve vazhdojnë të mbrohen.
Për të ndihmuar në zhvillimin e një strategjie të menaxhimit të rrezikut për biznesin, do të ndjekim me vëmendje zhvillimet ndërkombëtare me qëllim që të mbështesim bizneset në menaxhimin sa më të mirë të kësaj krize.
Mirëpresim mendime e sugjerime nga secili prej jush për të vazhduar me përgatitjen e udhëzimeve.
Ju uroj gjithë të mirat,
Kryetari i Këshillit Drejtues,
Eleonora Olli