Rishikimi i Direktivës së Raportimit Jofinanciar

Sfidat dhe risqet globale nënkuptojnë që informacioni financiar, i vetëm, nuk mund të japë një kornizë të plotë të performancës së kompanisë. Ndryshimet klimatike, degradimi i mjedisit, problemet sociale dhe aktivet jomateriale të krijuara nga entiteti janë çështje të adresuara nga raportimi i informacionit jofinanciar. Megjithëse, janë ndërmarrë shumë nisma për raportimin e informacionit jofinanciar, ato kanë krijuar konfuzion për hartuesit e pasqyrave financiare.

Në lidhje me këtë çështje, Accountancy Europe rekomandon se duhet të ndërmerren pesë hapa me qëllim përmirësimin e raportimit jofinanciar.

Këto hapa janë:

  1. Zgjerimi përtej entiteteve të mëdha të listuara në bursë pasi këto entitete zënë një pjesë të vogël të ekonomisë europiane. Kështu që zgjerimi i Direktivës së Raportimit Jofinanciar duhet të përfshijë të gjitha kompanitë që ndikojnë në mjedis për shkak të veprimtarisë së tyre me karakter mjedisor ose social.
     
  2. Përcaktimi i kritereve minimale detyruese për raportim, sidomos te shënimet shpjeguese, për të përmirësuar qëndrueshmërinë dhe krahasueshmërinë e këtij informacioni. Përfituesit kryesor nga vendosja e këtyre kritereve do të jenë aksionerët, të cilët do ta përdorin këtë informacion për të analizuar performancën e kompanisë, vlerën e saj të shtuar në shoqëri dhe krahasimin e informacionit me bizneset e tjera brenda industrisë.
     
  3. Dhënia e shënimeve shpjeguese për informacionin jofinanciar në raportin vjetor të menaxhimit. Përfshirja në shënimet shpjeguese e këtij informacioni, do të mundësojë një ndërthurje midis informacionit financiar dhe atij jofinanciar.
     
  4. Përcaktimi i kritereve minimale të raportimit për dhënien e shënimeve shpjeguese të ardhshme. Raportimi jofinanciar tashmë është në hapat e parë, por pritet që ai do të bëhet një praktikë raportimi e zakonshme, kjo për shkak se shënimet shpjeguese të lidhura me strategjinë, objektivat dhe qëllimet sigurojnë informacion të rëndësishëm në lidhje me të ardhmen e kompanisë dhe objektivat e saj afatgjata.
     
  5. Informacioni të jetë sa më i besueshëm. Grupet e interesit bazohen në informacionin financiar kështu që ai duhet të jetë i besueshëm dhe lehtësisht i verifikueshëm.

Për arritjen e këtyre synimeve kërkohet edhe mbështetja e profesionistëve kontabël të cilët duhet të mbështesin implementimin, monitorojnë procesin dhe ndihmojnë kompanitë në sigurimin e këtij informacioni.

Accountancy Europe po kontribuon në dhënien e shënimeve shpjeguese sa më transparente dhe të besueshme në kuadër të procesit për një ekonomi të qëndrueshme, prandaj fton të gjithë ata që janë të interesuar t’i bashkohen kësaj nisme të kontaktojnë në adresën jona@accountancyeurope.eu deri më 31 mars 2020.

Për të lexuar materialin e plotë, klikoni këtu