Pjesëmarrje në aktivitetet ndërkombëtare – IFAC

Nga datat 12-14 Nentor 2013 në Seul u zhvillua Mbledhja e 36 vjetore e Këshillit të IFAC (Federates Ndërkombëtare të Kontabilistëve), ku mori pjesë edhe vendi ynë i përfaqesuar nga Presidenti i IEKAs z. Hysen Cela, në cilësinë e anëtarit të Këshillit të IFAC. Kjo mbledhje u parapri nga disa mbledhje të Bordit të IFAC-ut dhe të disa bordeve të pavarura të hartimit të standardeve.

Një nga cështjet më të rëndësishme të këshillit të IFAC-ut ishin ndryshimet në statutin dhe rregullat e funksionimit të IFAC-ut, të cilat për shkak të mungesës së votës maxhoritare u shtynë të miratohen në një mbledhje të vecantë të Këshillit e cila mund të realizohet për herë të parë edhe përmes pjesëmarrjes elektronike të anëtarëve (një cështje e parashikuar ne ndryshimet e statutit, e cila nuk parashikohet nga statuti/kushtetuta aktuale e IFAC).

Më datën 13 nëntor 2013, Këshilli i IFAC-ut organizoi seminarin vjetor me titull: "Forcimi i hallkave që marrin pjesë në zinxhirin e raportimit financiar".


Cështja e parë: "Një infrastrukturë financiare e fortë për raportimin financiar është vitale për rritjen e ekonomisë dhe zhvillimin e tregjeve financiare", u moderua nga presidenti i IFAC z. Warren Allen.

Paraqitja kryesore u bë nga Presidenti i Institutit të Kontabilistëve Publikë të Çertifikuar të Koresë së Jugut, z.Sung-won Kang, i cili e vuri theksin në elementët që nevojiten për të garantuar dhe për të mbështetur një raportim financiar të një cilësie të lartë, sic janë proceset efektive, një qeverisje e shëndoshë e shoqërive tregtare, përgjegjshmëria, llogaridhënia, aftësitë dhe kompetenca.

Nga diskutimet doli në pah nevoja e përmirësimit dhe forcimit të hallkave në zinxhirin e raportimit financiar jo vetëm në sektorin privat por edhe në sektorin publik, pasi në këtë mënyrë kontribuohet direkt për të dalë nga kriza globale e për ta kthyer periudhën në  vazhdim në një periudhë të rritjes ekonomike globale.

Cështja e dytë: "Faktorët e cilësisë së auditimit"– prezantuar dhe moderuar nga z. Arnold Schilder, Kryetar i Bordit të Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit e të Dhënies së sigurisë, e fokusoi trajtimin në inputet, outputet dhe ndërveprimet midis tyre, të cilat kontribuojnë direkt në cilësinë e auditimit si në nivel të angazhimit, të firmës së auditimit ashtu edhe në nivelet e vendeve të ndryshme. Të tillla do të ishin aftësitë dhe kompetenca, standardet e auditimit me cilësi të lartë, praktikat e qeverisjes së mirë, etj.

Nga pjesëmarrësit u vendos theksi tek përmirësimi i secilit prej faktorëve që gjenerojnë dhe garantojnë cilësinë, duke vecuar kuadrin e cilësisë së auditimit i cili kërkon që audituesi të ndërveprojë si me stakeholdersit, ashtu edhe me drejtimin dhe organet e qeverisjes së entitetit, me përdoruesit dhe rregullatorët, pasi vetëm kështu garantohet interesi publik të cilit i shërben audituesi.

Cështja e tretë: "Mbikëqyrja/rregullimi: promovojnë cilësinë", u prezantua dhe moderua nga Lee White, Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Kontabilistëve të Certifikuar të Australisë. Ajo trajtoi rolin që luan mbikëqyrja në promovimin e cilësisë. Ky rol është shumë i rëndësishëm dhe kontribuon direkt në cilësinë e auditimit, kur mbikëqyrja është e pavarur, kur në aktivitetin rregullator e atë mbikëqyrës ka koherencë, kur njohuritë shkëmbehen dhe kur vendoset dialog me organizatat ndërkombëtare.

Fayez Choudhury, Drejtor Ekzekutiv i IFAC-ut nënvizoi se raportimi dhe analiza financiare janë baza e zhvillimit ekonomik dhe eficencës së tregjeve të kapitalit. Ato kontribuojnë për integritetin, përgjeshmërinë dhe qëndrueshmërinë e ekonomisë tonë globale".