Përshëndetje nga Kryetarja e Këshillit Drejtues të IEKAs

Të dashur kolegë,

Uroj që ju, familjarët dhe bashkëpunëtorët tuaj të jeni mirë dhe të gëzoni shëndet.

U bënë gati 2 muaj vetëizolim dhe kufizim e distancim fizik e social, të cilat e kanë ndikuar shumë jetën tonë të përditshme.  Megjithatë, në linjë me organizatat simotra të profesionit, këtu në IEKA ne vijojmë të jemi aktivë për të përcjellë të gjithë udhëzimet e duhura për anëtarët dhe më gjerë, në mënyrë që kjo situatë të kalohet me sa më pak stres dhe cdokush të gjejë një zgjidhje që do ta ndihmojë sadopak në punën e tij të përditshme.

Komunikimet tona të herëpasherëshme, synojnë të përcjellin tek Ju përvojën më të mirë ndërkombëtare në përballimin e pandemisë COVID- 19. Menaxhimi me kujdes i situatës ka  dhe do të ketë si qëllim që ti kthejë sfidat me të cilat ne ndeshemi në mundësi për sot e për nesër.

Përhapja e pandemisë dhe distancimi social është një përvojë që nuk e kemi kaluar më parë, dhe natyrisht,  kjo na bën të ndjehemi të shqetësuar për të ardhmen. Por njëkohësisht përhapja e virusit ka bërë që të nxjerrim disa mësime të rëndesishme. Së pari është krijuar një lidhje më e madhe në kuptimin e komunikimit dhe përdorimit të teknologjisë, së dyti  po arrijmë të punojmë në distancë me kolegët, klientët, po mësojmë dhe së treti po ndajmë përvoja e mësime mjaft të vlefshme për mënyrën se si ti përgjigjemi me efektivitet kësaj krize.

Sic jeni informuar, kushtet e krijuara nga Covid 19, kanë bërë që veprimtaria e stafit të IEKAs, të ridimensionohet, duke u kryer nën distancë  (nga shtëpia), cka ka kontribuar që të mos ndërpritet asnjë nga veprimtaritë e përditshme,  dhe të gjithë detyrave të parashikuara ne programin e punës të miratuar nga Këshilli Drejtues për vitin 2020. Duke vlerësuar faktin që Coronavirusi nuk është vetëm një emergjencë shëndetësore por edhe ekonomike, IEKA ka shtuar informimin në kohë reale të anëtarëve, në funksion të nevojave të anëtarëve të saj për të marrë informacione në lidhje me ndryshimet më të fundit në legjislacion,  masat e vazhdueshme të marra nga autoritetet,  udhëzimet e qeverisë, etj.  Një pjesë e rëndësishme e këtij komunikimi i është kushtuar udhëzimeve praktike, dhe ideve të ndryshme për mënyrën se si duhet të veprojnë audituesit në këto kohë të pazakonta vecanërisht me klientët e auditimit.

Në shërbim të audituesve ligjorë anëtarë të IEKAs si dhe të kandidatëve vazhdon të jetë funksionale adresa zyrtare info@ieka.al, ku shqetësimet dhe sugjerimet marrin përgjigjen në kohën e duhur.

Ju rikujtojmë se rubrika Covid 19 në faqen IEKAs, por edhe në faqen e IFAC (www.ifac.org) është e aksesueshme edhe nga telefoni celular android në aplikacionin: Agregator dhe në Iphone në aplikacionin: Feedly ose Fiery.

Që nga hapja e rubrikës Covid 19 dhe në vazhdimësi, IEKA ka publikuar dhe përditësuar në mënyrë të vazhdueshme si masat e marra nga qeveria shqiptare për kujdesin dhe përballimin e pandemisë, por edhe një numër të konsiderueshëm  artikujsh të përkthyer nga publikimet e organizatave profesionale në të cilat IEKA është anëtare si IFAC, EFAA, FCM, FIDEF, etj. Në këto artikuj të zgjedhur me kujdes jepen këshilla për audituesit ligjorë për mënyrën se si duhet të sigurojnë të dhënat e duhura për të kryer auditimin në pajtim me standardet ndërkombëtare të auditimit, edhe në kushtet kur ka vonesa, pamundësi dhe vështirësi në aksesimin e të dhënave të klientëve. Auditimi i pasqyrave financiare 2019 është sfida më e madhe për audituesit ligjorë. Me qëllim sigurimin e një cilësie të lartë të auditimit edhe në kushtet e jashtëzakonshme të krijuar nga pandemia COVID 19, audituesit duhet të mbajnë parasysh zbatimin e kërkesave të SNA-ve, vecanërisht ato që lidhen me vlerësimin e rrezikut të auditimit, sigurimin e evidencës së mjaftueshme dhe të përshtatshme të auditimit si dhe kërcënimin e shkaktuar nga rreziqe të reja si ato të vijimësisë së entitetit, etj. Riskedulimi i afateve dhe procedurave në kushtet e reja, përbën në të vërtetë një sfidë.

Gjatë muajve Mars – Prill 2020, përvec detyrave të përditshme, stafi ekzekutiv i IEKAs:

  • Ka testuar dhe mundësuar përdorimin e platformës së komunikimit on line “ZOOM“ duke bërë të mundur organizimin krejt normal të mbledhjeve të Këshillit Drejtues, Komitetit të Edukimit dhe Kualifikimit të Vijueshëm (KEKV) si dhe të Komitetit të Regjistrimit.
     
  • Ka testuar përdorimin e platformës Google classroom si një mundësi për tu përdorur në kualifikimin e kandidatëve për auditues ligjorë duke filluar nga muaji Maj 2020. Qëllimi i këtij testimi nuk ka qënë thjesht, gjetja e një zgjidhje për momentin. Përkundrazi, rritja dhe diversiteti i anëtarësisë kërkojnë që edhe në të ardhmen të përdoren zgjidhje të tilla inteligjente dhe shumëqëllimshe.
     
  • Ka përkthyer tekstin e KAPLAN të ACCA, të Modulit të Raportimit Financiar të Avancuar (pjesa II) që do të zhvillohet me kandidatët e vitit të parë, pasi më parë kanë qënë përkthyer tekstet respektive të auditimit e  dhënies së  sigurisë në nivel të avancuar dhe menaxhimit të performancës në nivel të avancuar
     
  • Ka përkthyer Handbook Volumi III 2018 të IAASB i cili është në proces rishikimi, (standarde që  janë në fuqi aktualisht)
     
  • Ka përkthyer në gjuhën shqipe dhe ka gati për publikim (në proces rishikimi) udhëzuesin për audituesit  me titull “Impakti i Covid 19 në auditim” përgatitur në muajin prill 2020 nga departamenti teknik i Institutit të audituesve të certifikuar të Pakistanit, një organizëm me reputacion të spikatur në arenën ndërkombëtare, që padyshim do të jetë një ndihmesë  më shumë për anëtarësinë.

Ky udhëzues u përzgjodh mes disa udhëzuesve të publikuar  nga organizmat ndërkombëtare si më i përshtatshmi për mënyrën e trajtimit të detajuar të cështjeve të auditimit në kushtet e Covid 19  dhe paraqitjen grafike më të mirë. Ai do tu dërgohet shumë shpejt të gjithë anëtarëve AL nëpërmjet e-mailit dhe do të publikohet njëkohësisht edhe në rubrikën Covid 19 të IEKAs

Gjithashtu ju informojmë se Këshilli Drejtues në mbledhjen e muajit maj 2020 parashikon të diskutojë për cështjet e mëposhtëme:

  • Kualifikimin e vijueshëm të anëtarëve- Sesionit të I 2020 dhe mënyrën e realizimit të tij në kushtet e COVID-19,
  • Programin e Edukimit të Kandidatëve për vitin e I, II dhe III si dhe mënyrën e realizimit,
  • Mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Anëtarëve në vitin 2020, mënyrën e organizimit të saj në kushtet e situatës Covid-19, ku patjetër do të vijojë distancimi  fizik e social.
  • Heqjen e kamatëvonesave për pagesë të vonuar të kuotave të anëtarësimit për vitin 2020.
  • Ceshtje te tjera.

Stafi Ekzekutiv i ka paraqitur KEKV një analizë të detajuar të metodës së integruar të edukimit, për të gjitha modulet profesionale sipas Kurrikulës së miratuar të Profesionit të Audituesve ligjorë me propozime konkrete për përmirësimin e saj.

Sipas Rregullores “Për realizimin e Moduleve Profesionale në kuadër të Programit të Edukimit të Kandidatëve për Auditues Ligjor” disiplinat e moduleve profesionale  që duhet të ndjekë kandidati janë:

  1. Moduli Raportim Financiar i Avancuar;                      
  2. Moduli Taksim i Avancuar;                                  
  3. Moduli Legjislacion i Biznesit i Avancuar;
  4. Moduli Auditim dhe Dhënie Sigurie i Avancuar          
  5. Moduli Drejtim i Performancës i Avancuar              
  6. Moduli Etika Profesionale
  • Për modulin e Raportimit Financiar të Avancuar propozohet zhvillimi i tij bazuar në literaturën më të fundit,
  • Për Modulin e Taksimit të Avancuar dhe të Legjislacionit të Biznesit të Avancuar propozohet ngritja e një grupi me ekspertë të taksave/legjislacionit, KEKV, Drejtimit të IEKAs, Strukturës së Edukimit për hartimin e programit të lëndës, dhe në vijim të caktimit të ekspertëve të fushës që do të hartojnë tekstet,
  • Për Modulin e Auditimit dhe të Dhënies së Sigurisë së Avancuar, propozohet që në planin mësimor të përfshihen edhe disa tema nga Niveli i Ndërmjetëm i Kurrikulës, me qëllim plotësimin e disa mungesave të krijuara nga kurrikula e kësaj disipline në Institucionet e arsimit të lartë,
  • Propozohet të reduktohet kohëzgjatja e disa moduleve duke konsideruar rritjen e orëve në vitet në vijim.

Të nderuar,

Këshilli Drejtues mirëpret  kontributin tuaj me opinione, mendime e sugjerime në lidhje me auditimin ligjor të pasqyrave financiare 2019, por edhe për cështje të tjera të rëndësishme për profesionin dhe për biznesin që profesioni i shërben e shton vlerën. Ne presim mendimet tuaja për të kontribuar në rimëkëmbjen e biznesit të vogël dhe të mesëm. Cdo ide e juaja do të analizohet me kujdes dhe në mënyrë të përmbledhur do të dërgohet pranë autoriteteve, me të cilat IEKA mban marrëdhënie të vazhdueshme. Cdo kërkesë apo sugjerim i juaji mund të dërgohet në adresën info@ieka.al.

Shpreh bindjen se audituesit ligjorë,  nisur nga niveli i njohurive teknike, profesionale,  zotësive  dhe vlerave etike që kanë, dhe do të luajnë një rol të rëndësishëm në mbështetje të profesionit dhe te interesit të publikut për të siguruar që raportet e auditimit  pasqyrojnë realitetin dhe shërbimet e tjera shtojnë vlerë.

Së bashku, ne mund të ndihmojmë në forcimin e qëndrueshmërisë së biznesit në përgjigje të dëmeve të shkaktuara nga COVID-19.

Me respekt

Eleonora Olli

Kryetar i Këshillit Drejtues