Përse do të bëhesh Auditues Ligjor
Me Programin e Edukimit Profesional, ju do të ndjeheni të sigurtë dhe të aftë për të trajtuar çdo sfidë të kontabilitetit, auditimit, financës ose biznesit me të cilën përballeni në tregun e sotëm. Programi ka një fokus të fortë në zbatimin praktik të njohurive.
Anëtarësimi në IEKA është vlerësim për punën dhe arritjet tuaja, për aftësitë e komunikimit dhe të bashkëpunimit, për qasjen ndaj zgjidhjes së problemeve, studim dhe zhvillim i një mënyre të punës që mbështetet në standardet më të larta etike, e që e thekson mendimin kritik dhe aftësitë teknike.
Prej 13 vitesh IEKA është anëtar i IFAC – organizata e cila është lideri botëror i profesionit të kontabilitetit dhe auditimit si dhe organizatave të tjera ndërkombëtare si EFFA, FCM, FIDEF që kanë një dëshirë të përbashkët për të mbështetur dhe bërë një ndryshim në anëtarët tanë dhe profesionin e kontabilitetit dhe auditimit.
IEKA mbështet zhvillimin e standardeve ndërkombëtare me cilësi të lartë për auditimin dhe sigurinë, kontabilitetin e sektorit publik, etikën dhe edukimin. Ka qënë një sukses rritja nga 57 anëtarë themelues në mbi 231 anëtarë që ushtrojnë profesionin (nga 466 gjithsej).
Duke qenë anëtar të IEKAs:
- Ju do të shquheni për nivel të lartë profesional në fushën e auditimit ligjor, shërbimeve të dhënies së sigurisë dhe kontabilitetit;
- Ju do të merrni njohuritë më të mira në fushën e kontabilitetit dhe të auditimit të arritura dhe të mbajtura përmes trajnimit të vazhdueshëm profesional,
- Ju do të keni një qasje më të mirë teknike në zgjidhjen e problemeve;
- Ju do të dalloheni për integritet dhe vlera të larta etike dhe profesionale;
- Ju do të informoheni për ndryshimet më të fundit në fushën e profesionit;
Ushtrimi i profesionit të audituesit ligjor në Shqipëri
Sipas Ligjit (të ndryshuar) të Auditimit ushtrimi i profesionit të audituesit ligjor në praktikën publike bëhet në njërën nga format e mëposhtme:
- në mënyrë individuale;
- si një ortak/aksionar pjesëmarrës në kapitalin e një shoqërie audituese.
- i punësuar te një tjetër auditues ligjor i regjistruar.
Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA) grupon të gjithë audituesit ligjorë dhe shoqëritë audituese, të regjistruara si të tilla në regjistrin publik të IEKA-s.
Legjislacioni për profesionin e audituesit ligjor përcakton rregulla të veçanta për aktivitetin dhe shërbimet profesionale që mund të kryejnë audituesit, të cilat kërkojnë njohuri të veçanta teknike.
Kryerja e këtyre shërbimeve profesionale të auditimit dhe të dhënies së sigurisë bazohet në Standardet Ndërkombëtare të Auditimit të publikuara nga IAASB-ja dhe të përkthyera në shqip nga IEKA.
Një auditim cilësor mund të arrihet vetëm nëse grupi i angazhimit respekton vlerat dhe mban qëndrime etike, ka njohuritë e duhura, zotëron aftësitë profesionale, eksperiencën dhe ndan në mënyrën e duhur kohën dhe burimet e auditimit midis anëtarëve të tij, zbaton një proces rigoroz auditimi dhe procedurat e kontrollit të cilësisë bazuar në rregullat dhe standardet e zbatueshme si dhe raporton dhe komunikon në mënyrën e duhur me palët e interesuara.
Regjistrimi/çregjistrimi i Audituesve ligjorë në Regjistrin Publik
Individët që dëshirojnë të ushtrojnë profesionin e audituesit ligjor në praktikën publike, pasi kanë marrë titullin auditues ligjor, janë të detyruar të regjistrohen në Regjistrin Publik të audituesve ligjorë i cili mbahet dhe përditësohet nga organizata profesionale.
Vetem audituesit ligjorë/shoqëritë audituese të përfshira në regjistrin publik, kanë të drejtë të kryejnë veprimtarinë e auditimit ligjor të pasqyrave financiare, individuale dhe/ose të konsoliduara të shoqërive tregtare, si edhe të kryejnë shërbime të tjera apo shërbime të lidhura, kur ato nuk bien ndesh me kërkesat e parashikuara në këtë ligj, me standardet profesionale dhe me kodin e etikës.
Regjistrimi në regjistrin publik të AL kërkon që individi ti ketë dhënë fund papajtueshmërive të parashikuara në ligj dhe të jetë i pavarur.
Procedurat e përfshirjes në regjistrin publik të audituesve ligjorë dhe të shoqërive të auditimit, janë hartuar nga Instituti dhe miratuar nga BMP si dhe realizohen nga Komiteti i Regjistrimit, i cili krijohet nga Instituti dhe përbëhet nga anëtarë përfaqësues të IEKA-s dhe të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
Kërkesat për regjistrim të kandidatëve/shoqërive audituese, për pezullim të veprimtarisë dhe riregjistrim, të shoqëruara me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, i adresohen me shkrim organizatës profesionale të audituesve ligjore.
Dokumentacioni i nevojshëm për regjistrimin e audituesit ligjor shtetas shqiptar
- Kërkesa e aplikuesit drejtuar Komitetit të Regjistrimit, e nënshkruar prej tij;
- Curriculum vitae;
- Dokument identiteti;
- Vërtetim nga prokuroria e rrethit se ndaj shtetasit nuk është filluar çështje penale; vërtetim nga gjykata e rrethit se kërkuesi nuk është në proces gjyqësor;
- Dëshmi penaliteti (Formular vetëdeklarimi deri në dorëzimin e Dëshmisë së Penalitetit);
- Deklaratë noteriale për dhënien fund të papajtueshmërive që kërkohen për ushtrimin e profesionit (shkarko modelin e deklaratës);
- Kopje e njehsuar e certifikatës së titullit auditues ligjor ose vërtetimin për përfundimin me sukses të provimeve të aftësive profesionale;
- Vërtetim zyrtar nga institucioni, shoqëria etj. për ndërprerjen e marrëdhënieve të punësimit (kur aplikuesi ka qenë i punësuar);
- Vërtetim nga organizata profesionale e audituesve ligjorë ose nga institucionet dhe subjektet e tjera të parashikuara me ligj për pjesëmarrjen në kualifikimin e vijueshëm profesional për kohën që nuk ka ushtruar profesionin e audituesit ligjor (nëse është e përshtatshme);
- Vërtetim nga organizata profesionale e audituesve ligjorë për shlyerjen e detyrimeve financiare lidhur me kuotat e anëtarësisë dhe detyrime të tjera (nëse është e përshtatshme);
- Certifikatën e regjistrimit në QKB dhe kopje të Ekstraktit të QKB;
- Mandat-pagese për tarifën prej 10.000 lekë për regjistrim në Regjistrin Publik.
Shënim: Për regjistrimin në regjistrin publik dhe ushtrimin e profesionit të audituesit ligjorë pranë një shoqërie auditimi, aplikuesi duhet paraqësë dhe kërkesë nga administratori/audituesi ligjor i shoqërisë në të cilën të kërkohet përfshirja në listën e audituesve ligjorë të shoqërisë.
Dokumentacioni i nevojshëm për regjistrimin e audituesit ligjor shtetas të huaj
- Për t’u regjistruar në regjistrin publik, audituesi ligjor i huaj fillimisht i drejtohet me një kërkesë me shkrim për dhënien e provimit të aftësive profesionale Komisionit të Provimeve të Aftësisë Profesionale, duke paraqitur dokumentacionin e nevojshëm, që tregon për titullin e marrë në një shtet tjetër;
- Përmbajtja e dokumentacionit, që paraqitet për regjistrimin e audituesit ligjor të huaj dhe të shoqërive të huaja audituese në regjistrin publik të audituesve ligjorë përcaktohet nga Bordi i Mbikëqyrjes Publike dhe miratohet nga Ministri i Financave;
- Këshilli Drejtues i organizatës profesionale bën vlerësimin e pajtueshmërisë së kushteve të përgatitjes së audituesve ligjorë të huaj me kushtet e përgatitjes së audituesve ligjorë vendas dhe i dërgon një raport Komitetit të Regjistrimit;
- Dëshmi të penalitetit të nxjerrë brenda 6-mujorit të fundit nga shteti ku ka rezidencën e përhershme të apostiluar.
Dokumentacioni i nevojshëm për ri-regjistrimin e audituesit ligjor.
- Kërkesë për ri-regjistrim drejtuar Komitetit të Regjistrimit, e nënshkruar prej tij;
- Vërtetim nga organizata profesionale e audituesve ligjorë për kryerjen e kualifikimit të vijueshëm profesional për kohën që nuk ka ushtruar profesionin e audituesit ligjor. Në rastin kur kryhen pranë organizatës profesionale ato dorëzohen nga organizata drejtpërdrejtë te Komiteti i Regjistrimit pa pasur nevojë për lëshimin e një vërtetimi. Në rastet kur kualifikimi i vijueshëm nuk është bërë pranë organizatës profesionale, një vërtetim nga institucioni në përputhje me dispozitat e ligjit për kryerjen e kualifikimit të vijueshëm profesional për kohën që nuk ka ushtruar profesionin e audituesit ligjor;
- Curriculum vitae;
- Dëshmi penaliteti (Formular vetëdeklarimi deri në dorezimin e Dëshmisë së Penalitetit);
- Deklaratë noteriale për dhënien fund të papajtueshmërive që kërkohen për ushtrimin e profesionit;
- Vërtetim nga organizata profesionale e audituesve ligjorë për shlyerjen e detyrimeve financiare lidhur me kuotat e anëtarësisë dhe detyrime të tjera;
- Vërtetim zyrtar nga institucioni, shoqëria etj. për ndërprerjen e marrëdhënieve të punësimit (kur aplikuesi ka qenë i punësuar);
- Certifikatën e regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe kopje të Ekstraktit të QKB;
- Mandat-pagese për tarifën prej 10.000 lekë për ri-regjistrim në Regjistrin Publik.
Dokumentacioni i nevojshëm për regjistrimin e shoqërive audituese vendase.
- Kërkesë drejtuar Komisionit të Regjistrimit;
- Vendimi i asamblesë së ortakëve/aksionerëve për regjistrimin e shoqërisë në regjistrin publik të audituesve ligjorë;
- Certifikatën e regjistrimit në QKB dhe kopje të Ekstraktit të QKB;
- Statuti i shoqërisë;
- Listën e audituesve të shoqërisë, përfshirë dhe administratorin, të cilët plotësojnë kushtet për të ushtruar profesionin e audituesit ligjorë dhe nuk janë ushtrues të profesionit si person fizik;
- Në rastin e individëve ortakë të shoqërisë së auditimit, të cilët nuk janë auditues ligjor, duhet të paraqitet dokumentacioni dhe të dokumentohet në dosjen e regjistrimit të shoqërisë së auditimit:
- Dokument identifikimi biometrik i vlefshëm;
- Vërtetim nga prokuroria e rrethit se ndaj shtetasit nuk është filluar çështje penale; vërtetim nga gjykata e rrethit se kërkuesi nuk është në proces gjyqësor;
- Certifikatë e gjendjes gjyqësore (Dëshmi penaliteti), që tregon se aplikuesi nuk është i dënuar;
- Verifikimi (nga Organizata Profesionale e Audituesve Ligjorë) në listën e personave të shpallur si financues të terrorizmit;
- Në rastin kur në pronësinë e shoqërisë së auditimit zotëruesi i kuotave është një person juridik (shoqëri jo-auditimi), në dosjen e shoqërisë së auditimit do të dokumentohen të dhënat për të gjithë pronarët (individë) e fundit përfitues të personit juridik sipas të njëjtave kërkesa, për dokumentacion të individëve ortakë që nuk janë auditues ligjorë dhe të gjithë personave që janë pjesë e organeve të drejtimit apo kanë autoritet vendimarrës.
Dokumentacioni i nevojshëm për pezullimin e veprimtarisë së audituesit ligjor.
- Kërkesë me shkrim për pezullimin e ushtrimit të veprimtarisë drejtuar Komisionit të Regjistrimit, e nënshkruar prej kërkuesit. Kërkesa duhet të jetë e motivuar dhe të tregojë veprimtarinë e re që do të ndërmarrë i interesuari, si dhe periudhën për të cilën kërkohet pezullimi apo, kur kjo periudhë nuk mund të identifikohet, datën në të cilën kërkohet të fillojë pezullimi;
- Kopje të ekstraktit të QKB ku të figurojë pezullimi i veprimtarisë si Auditues Ligjor;
- Mandat-pagesë për tarifën prej 10.000 lekë për c’regjistrim nga Regjistri Publik.
Çregjistrimi nga regjistri publik i audituesve ligjorë.
Tarifa e regjistrimit/cregjistrimit nga regjistri publik.
Pagesa për tarifën e regjistrimit të shoqërisë bëhet pas regjistrimit në regjistrin publik.
Tarifat e regjistrimit të shoqërive
Për shoqërite e huaja 85.000 lekë
Për shoqëritë vendase me partner joekspert 65.000 lekë
Për shoqëritë audituese vendase 35.000 lekë
Kualifikimi i vijueshëm profesional
Bazuar në Ligjin e Auditimit dhe si anëtarë të një organizmi profesional i cili është anëtar me të drejta të plota në IFAC, audituesit ligjorë kanë detyrimin për të marrë pjesë në zhvillimin e vazhdueshëm profesional (CPD) cka kupton të mësuarit gjatë gjithë jetës.
Pjesëmarrja në trajnimin e vijueshëm profesional:
- ju siguron që vazhdimisht të zhvilloni njohuritë dhe aftësitë që ju duhen për të pasur sukses në mjedisin konkurrues të biznesit;
- kjo ju ndihmon në arritjen e qëllimeve tuaja të zhvillimit dhe karrierës;
- kjo ju ndihmon të dalloheni në profesionin tuaj, duke siguruar vlerë të shtuar për organizatën tuaj dhe klientët tuaj
- ndihmon për të ndërtuar reputacionin tuaj si drejtues biznesi.
Audituesit ligjorë i nënshtrohen kualifikimit të vijueshëm profesional, i cili është i detyrueshëm dhe zgjat, të paktën, 40 orë në vit.
Riregjistrimi i audituesit ligjor në regjistrin publik bëhet kur, përvec të tjerash, audituesi ka përmbushur detyrimet e kualifikimit të vijueshëm profesional edhe gjatë kohës kur ai nuk e ka ushtruar profesionin.
Sigurimi për Cilësinë
Audituesi ligjor ose shoqëria audituese i nënshtrohet një sistemi kontrolli të sigurisë për cilësinë, që ka për qëllim dhënien e sigurisë për cilësinë e punës audituese.
Sistemi i dhënies së sigurisë për cilësinë përfshin dy hallka:
- kontrollin e cilësisë, që organizohet brenda shoqërisë së auditimit;
- kontrollin e cilësisë që organizohet nga Bordi i Mbikëqyrjes Publike.
Bordi i Mbikëqyrjes Publike mund ti delegojë IEKAs, kryerjen e kontrollit të cilësisë për auditimet e entiteteve që nuk janë me interes publik.
Kontrolli i cilësisë brenda firmës/kabinetit të auditimit, garantohet përmes vendosjes së rregullave të brendëshme të rishikimit për qëllime të kontrollit të cilësisë së angazhimeve, të cilat bazohen në SNKC1 dhe në udhëzimet përkatëse të përpunuara nga IEKA.
Kontrolli i Cilësisë që organizohet nga BMP/IEKA është një procedurë e shqyrtimit të veprimtarisë profesionale të audituesve ligjorë (person fizik dhe të ortakëve e shoqërive audituese) bazuar në kërkesat a parashikuara ne Ligjin e Auditimit, Statutin e IEKAs dhe në pajtim me kërkesa të tjera të shpjeguara në Standardin Ndërkombëtar për Kontrollin e Cilësisë 1.
Kontrolli i cilësisë kryhet në bazë të një analize rreziku, të paktën:
- një herë në çdo tre vjet, për audituesit ligjorë dhe shoqëritë e auditimit që auditojnë njësitë ekonomike me interes publik, dhe
- një herë në çdo gjashtë vjet, për audituesit ligjorë dhe shoqëritë e auditimit që auditojnë njësitë e tjera ekonomike.
- Për audituesit ligjorë, me jo më shumë se pesë vjet përvojë pune në profesion, ky kontroll kryhet, të paktën, një herë në dy vjet, derisa arrihet eksperienca e kërkuar.