- Kryerja e kualifikimit të vijueshëm të anëtarëve dhe kandidatëve për vitin 2020 në kushtet e Covid 19.
Të ndodhur përpara situatës së krijuar nga Covid 19 dhe masave të vendosura nga Qeveria Shqiptare për vendosjen e distancimit shoqëror dhe ndërprerjen e një pjese të madhe të veprimtarive të biznesit dhe atyre ekonomike shoqërore të cilat prekin edhe veprimtarinë e Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar, Këshilli diskutoi mbi mënyrat e mundshme të zhvillimit profesional për të inkurajuar anëtarët dhe kandidatët për Auditues Ligjorë të azhornohen dhe të rritin kompetencat e tyre profesionale.
Sipas kuadrit ligjor dhe rregullator kryerja e Kualifikimit të Vijueshëm të Anëtarëve si dhe e trajnimeve për kandidatët që zhvillojnë praktikën profesionale është detyrim për të dy palët, IEKAn në njërën anë dhe anëtarët e kandidatët në anën tjetër.
Këshilli Drejtues i IEKAs shqyrtoi mundësitë e kryerjes së Kualifikimit të Vijueshëm Profesional të anëtarëve AL në programin ZOOM dhe të kandidatëve në aplikacionin Google Clasroom. Për zhvillimin e kualifikimit në këto platforma, Këshilli Drejtues u mbështet në eksperiencat e organizatave ndërkombëtare si IFAC, FCM, EFAA, në të cilat IEKA është anëtare me të drejta të plota.
Stafi ekzekutiv i IEKAs ka testuar mënyrën e funksionimit të dy aplikacioneve të mundshme për tu përdorur në trajnim (ZOOM dhe Google Clasroom) dhe po punon në vijimësi për të marrë masat organizative dhe përgatitjen e udhëzimeve të përshtatshme për zbatimin e programit të edukimit për vitin 2020.
– Këshilli Drejtues vendosi që Trajnimi i Kandidatëve për Auditues Ligjorë të kryhet duke përdorur aplikacionin GOOGLE Classroom. Kandidatët do të njoftohen sapo Këshilli Drejtues të miratojë modalitetet e tjera të domosdoshme lidhur me zhvillimin e trajnimit.
– Në lidhje me Kualifikimin e Vijueshëm të Anëtarëve Auditues Ligjorë, Këshilli Drejtues do të diskutojë dhe do të vendosë në mbledhjen e tij muajit maj 2020, në të cilën pritet vlerësimi ecurisë së Covid 19 nga Qeveria Shqiptare.
- U miratuan disa vendime të Komitetit të Edukimit të Kandidatëve për përjashtimin nga kryerja e praktikës profesionale të disa kandidatëve që kanë fituar titullin ACCA.
- U diskutua mbi veprimtaritë tekniko profesionale të kryera gjatë vitit 2019.
- U diskutua mbi masat organizative që ka ndërmarrë IEKA lidhur me situatën e krijuar nga pandemia e shkaktuar nga COVID 19, ndër të cilat vlen të përmendim hapjen e Rubrikës COVID – 19 në faqen e web të IEKAs e cila është e integruar edhe në rubrikën e IFAC COVID 19.
– Në këtë faqe IEKA publikon dhe përditëson masa organizative të qeverisë shqiptare, këshilla për auditituesit ligjorë për auditimin në kushtet e Covid 19, masa të marra dhe artikuj të organizatave ndërkombëtare në ndihmë të audituesve ligjorë.
– Nën drejtimin e Këshillit Drejtues kjo rubrikë do të pasurohet hap pas hapi në ndihmë të Audituesve Ligjorë me materiale me ndryshimet më të fundit në legjislacion, me cështjet me të rëndësishme që duhet të konsiderohen për kryerjen e procedurave të auditimit dhe tërheqja e vëmendjes në cështjet më të rëndësishme, sjellja e eksperiencës më të mirë të organizatave ndërkombëtare si IFAC, EFAA, ICAAB, AE etj.
- U diskutua që në varësi të ecurisë së përhapjes së virusit COVID 19, Këshilli Drejtues do të vendosë për mënyrën e organizimit të Asamblesë së Përgjithshme të Anëtarëve në respektim të afateve ligjore e statutore.
- U diskutua mbi mundësinë dhe mënyrën e organizimit të mbledhjeve të komiteteve/komisioneve që funksionojnë pranë IEKAs të cilat në rastet kur gjykohet e domosdoshme dhe e mundur të realizohen nëpërmjet aplikacionit ZOOM me asistencën dhe instruksionin e Stafit Ekzekutiv të IEKAs.