Njoftim nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për përditësim të të dhënave të adresave të tatimpaguesve në sistemin e-filing

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve informon tatimpaguesit se duhet të përditësojnë, në sistemin e-filing, të dhënat e tyre në lidhje me çdo adresë apo vend të ushtrimit të aktivitetit të regjistruar më parë sipas Legjislacionit tatimor në fuqi.

Në llogarinë e deklarimit elektronik, e-filing në https://www.tatime.gov.al/ , në menunë E-filing Im/ Profili Im/ Adresa, prej datës 1 Tetor 2020, ju do të keni mundësinë të plotësoni informacionin e kërkuar në lidhje me pronësinë e mjedisit/eve ku ushtroni aktivitet, dokumentin përkatës, sipërfaqen, natyrën e aktivitetit si dhe të jepni të dhëna mbi kontratat e lidhura për furnizimin me ujë dhe energji elektrike.

Kërkesat e mësipërme bazohen në Ligjin nr.9920 datë 19.05.2008 “Për Procedurat tatimore”, i ndryshuar, neni 23, pika 1, si dhe në Ligjin nr.87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, në bazë të të cilave Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kërkon nga çdo subjekt tatimpagues, informacione të detajuara lidhur me çdo adresë apo vend ushtrimi biznesi të regjistruar.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i bën thirrje të gjithë tatimpaguesve, të përditësojnë në mënyrë vullnetare informacionin e kërkuar, brenda datës 1 nëntor 2020. Mosdhënia e këtij informacioni konsiderohet kundravajtje administrative.

Për të lexuar materialin e plotë, klikoni në linkun e mëposhtëm:

https://www.tatime.gov.al/d/8/45/45/1444/njoftim-per-perditesim-ne-e-filing-te-te-dhenave-te-adresave-te-tatimpaguesve