Njoftim

Njoftojmë se, ditën e djeshme, më datë 17.11.2022, ora 17:00, pranë ambienteve të IEKA-s, u zhvillua takimi i parë i anëtarëve të Këshillit Drejtues me eksperten ligjore të kontraktuar nga Banka Botërore znj. Enkeleida Pulaj, e cila po drafton ndryshimet ligjore lidhur me ligjin Nr. 10091, datë 05.03.2009 “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të audituesit dhe të kontabilistit të miratuar”, i ndryshuar.

Pas diskutimeve në të cilat anëtarët kërkuan informacion të detajuar të gjithë këtij procesi, ekspertja ligjore, znj.Enkeleida Pulaj bëri me dije se nuk ka ende një draft përfundimtar për tu vendosur në dispozicion të palëve të interesit. Gjithashtu, gjatë diskutimit znj.Pulaj kërkoi suportin e Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA) si palë e përfshirë në proces, për të dhënë imputet dhe gjykimet e gjithë anëtarëve lidhur me:
1. Problematika të hasura në vite për të cilat kërkohen ndryshime ligjore;
2. Propozime të reja për tu shtuar.
Ekspertja sqaroi se ndryshimet konsistojnë në përafrimin e ligjit Nr. 10091, datë 05.03.2009 “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të audituesit dhe të kontabilistit të miratuar”, i ndryshuar me direktivën e BE dhe në veçanti për auditimin e shoqërive me interes publik.
Sa më sipër, ju bëjmë me dije se ekspertja e Bankës Botërore, znj. Pulaj garantoi se këto ndryshime nuk do të prekin strukturat e ngritura dhe të konsoliduara deri më tani dhe do të ketë vetëm një organizatë të Audituesve Ligjor “Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar”.
Në këtë kuadër, Këshilli Drejtues propozon ngritjen e një Grupi Pune për të shqyrtuar direktivën e BE dhe për të bërë përshtatjen me ligjin 10091, për të bërë propozimet përkatëse, para dhe gjithashtu pas dërgimit të draftit, me përbërje nga të gjithë anëtarët e Këshillit Drejtues te IEKAs, anëtar nga Big-4 si dhe anëtar të Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar. Ky Grup Pune do të ndjekë gjithë procedurën për përgatitjen e draftit me ndryshimet e pritshme të ligjit.
Mirëpresim çdo propozim nga ana juaj që do të shqyrtohet dhe propozohet nga Grupi i Punës për ndryshimet ligjore.