Periudha e tanishme po karakterizohet nga ndryshime të vazhdueshme të veprimtarive të biznesit, të cilat kanë një ndikim të madh në konkurencën, rritjen, eficencën dhe mbijetesën e çdo entiteti. Entitetet e biznesit duhet ti përgjigjen, në mënyrën e duhur, situatave të tregut të cilat ndryshojnë vazhdimisht. Ato duhet të jenë në gjendje t`ju përshtaten situatave të reja në mënyrë të zgjuar e sa më profesionale.
Shtimi i aktiviteteve të bizneseve është një çështje e rëndësishme, pasi garanton qëndrueshmërinë dhe rritjen e ardhshme, veçanërisht në kushtet e rreziqeve e pasigurive të shtuara. Për këtë qëllim, fokusi i sotëm i entiteteve të biznesit, nuk mjafton të jenë thjeshtë dhe vetëm aspektet tradicionale financaire, pasi përherë e më shumë, po kërkohet një zgjerim i këtij fokusi për të përfshirë çështjet e zhvillimit të ardhshëm dhe aftësinë e kompanive për të mësuar, për të bërë inovacion, dhe për të përdorur me dobi informacionet. Për më tepër, entitetet e biznesit, sot kanë nevojë të përmirësojnë më tej marrëdhëniet e tyre me klientët dhe furnitorët. Në këtë kontekst, ato janë të interesuara të adoptojnë raportimin e integruar duke përfshirë krahas raportimit për performancën financiare edhe raportimet për mjedisin, për çështjet e përgjegjësisë sociale, apo edhe të mirëqeverisjes.
Historikisht informacionet dhe shpjegimet për të dhënat jo-financiare kanë luajtur gjithmonë një rol dytësor në krahasim me informacionet shpjeguese financiare, të cilat vazhdimisht kanë qenë vlerësuar si mjeti më i rëndësishëm i raportimit dhe paraqitjes së dinamikave zhvilluese të një entiteti. Përkundër kësaj, buxhetet sociale dhe mjedisore duket se nuk kanë ekzistuar fare ose i takojnë një të shkuare që nuk mbahet mend. Në fazën e tij fillestare, informacioni jo-financiar ka qenë shumë i pakët dhe entitetet mjaftoheshin me disa përfshirje minimaliste të tij në shënimet shpjeguese të raporteve financiare. Por, rritja gjate tre dekadave të fundit, e rëndësisë në çështje të tilla si: përgjegjësia sociale, mbrotja e mjedisit, përmirësimi i qeverisjes, etj., bëri të nevojshme përgatitjen e raporteve jofinanciare autonome dhe të pavarura. Aktualisht, këto raporte po bëhen gjithnjë e më komplekse pasi përfshijnë një gamë të gjerë informacionesh, të cilat synojnë të kënaqin nevojat e disa kategorive të ndryshme te palëve të interesuara.
Fillimisht ndarja midis paraqitjes së informacioneve financiare nga ato jo financiare solli përfitime të informacionit për shkak të zgjerimit të çështjeve të shpjeguara; por më pas, në të vërtetë, ai eliminoi deri diku kërkesat e mirë strukturuara të sistemit të raportimit. Në disa raste, raportet për përgjegjësinë sociale dhe mjedisore nuk ishin në koherencë jo vetëm me sistemin e raportimit, por edhe me strategjitë e biznesit (dhe dinamikat e tij konkurruese dhe financiare). Autonomia për të paraqitur informacione jofinanciare në krahasim me detyrimet për paraqitjen e informacioneve mund të konsiderohet pasojë – dhe në disa raste edhe shkak – që lidhet me dimensionin shumë-kapital, i cili nuk përfshihet në vizionin, misionin dhe strategjinë e një biznesi.
Ndikimi në performancën jofinanciare duket se është i ndërlidhur ngushtë me performancën financiare (‘lidhja’ e gjashtë kapitaleve të raportimit të integruar), si edhe arritja e objektivave të secilit dimension favorizon arritjen e rezultateve pozitive në të tjerët. Për rrjedhojë, objektivat financiare duhet të kombinohen në mënyrë sinergjike me objektivat socio-mjedisore. Kështu, fitimi bëhet shprehja e një aftësie superiore për të kënaqur pritjet e të gjithë interlokutoreve, e cila, nga ana tjetër, gjeneron miratim nga palët e interesit (stakeholdersit), duke prodhuar besim, kohezion dhe motivim, rritje të konkurrencës dhe, parë në një këndvështrim më të gjerë, kontribuon për të përmirësuar rezultatet financiare.
Brenda këtij konteksti, nevoja për integrimin e llojeve të ndryshme të informacionit është bërë gjithnjë e më shume evidente. Një shoqëri e qëndrueshme kërkon që entitetet e saj të biznesit të kenë strategji të qëndrueshme, që në rrafshin afat të gjatë krijojnë vlerë për aksionarët, ndërsa plotësojnë nevojat e palëve të tjera të interesit dhe nuk marrin përsipër rreziqe të tepërta ose të painformuara. Raportimi i integruar është edhe mënyra më efektive për të komunikuar performancën e një entiteti në zbatimin e një strategjie të qëndrueshme dhe një formë e disiplinës që siguron se entiteti ka zhvilluar një strategji të qëndrueshme që çon në krijimin e vlerës afatgjatë.
Adoptimi në shkallë globale ose universale i raportimit të integruar patjetër do të ndodhë së shpejti. Një raportim i integruar me cilësi të lartë, është një domosdoshmëri për tregjet e kapitalit dhe për shoqërinë . Nuk mund të krijohet një shoqëri e qëndrueshme nëse vetëm një përqindje e vogël e entiteteve apo shoqërive tregtare të saj, përdorin raportimin e integruar, pavarësisht madhësisë apo rëndësisë që ato kanë përsa i takon të ardhurave, kapitalizimit të tregut dhe reputacionit.
Nëse duam të arrijmë vlerën e plotë të raportimit të integruar, është e nevojshme që ky proces të rregullohet. Një gjë e tillë ju jep mundësi përdoruesve të krahasojnë entitetet, të paktën brenda sektorit të ekonomisë ku ato operojnë. Tregjet tona të kapitalit nuk do të ishin kaq të mëdha dhe efikase sa janë sot, pa standardet kontabël, të cilat përfshijnë krahasime që ju mundësojnë investitorëve të alokojnë kapitalin në mënyrën e duhur. Gjithashtu, standardet kontabël bëjnë të mundur që entitetet të vlerësojnë performancën e tyre dhe inkurajojnë për përmirësim të vazhdueshëm. Kështu, edhe në rastin e raportimit të integruar, rregullimi do të jetë i nevojshëm për të specifikuar kuadrin e zbatueshëm për këtë qëllim dhe standardet që duhet të përdoren për raportimin e informacionit jofinanciar.
Arritja e të dy këtyre qëllimeve (kuadrit dhe standardeve) ka përballë sfida të mëdha, veçanërisht kur kjo trajtohet në nivel global. Sidoqoftë, përcaktimi i standardeve për paraqitjen e informacioneve jofinanciare, mbetet problemi më i vështirë. Grupe të ndryshme kanë dhënë kontribute të konsiderueshme. Organizatat që kërkojnë të hartojnë standarde për informacion jofinanciar, zakonisht OJF ose organizmat e profesionit, bashkëpunojnë por edhe e konkurrojnë njëra-tjetrën. Konkurrenca mund të nxisë inovacionin dhe të prodhojë alternativa që ndihmojnë në një zgjedhje sa më të qartë. Por gjithashtu, kjo gjë mund të rezultojë në përsëritjen e historisë siç ndodhte kur standardet kontabël hartoheshin nga çdo vend, çka bëri që të kishim versione të shumta të Parimeve Kontabël përgjithësisht të pranuara (PKPP). Vendosja dhe zbatimi i standardeve të raportimit është një terren i vështirë dhe i diskutueshëm, veçanërisht nëse kjo duhet të bëhet në nivel global. Pikëpamja e IFAC-it në lidhje me përmirësimin e raportimit të korporatave, pohon se ekosistemi aktual i raportimit, i përbërë nga skema raportimi të shumëfishta dhe konkurruese, nuk i shërben më së miri interesave të tregjeve të kapitalit, entiteteve dhe palëve të interesuara. IFAC beson se raportimi i integruar, që bashkon informacionin përkatës në lidhje me një entitet, jep një pamje më të plotë të performancës dhe tregon për vizionin dhe mundësinë e entitetit për të krijuar në vazhdimësi vlerë të qëndrueshme.
Edhe pse IFAC i inkurajon rregullatorët dhe organizmat e hartimit të standardeve që ato të përdorin Kuadrin Ndërkombëtar të Raportimit të integruar (The International Integrated Reporting Framework) si një bazë për përfshirjen dhe organizimin e informacionit në lidhje me krijimin e vlerës dhe ndikimet që kanë si informacionet financiare ashtu edhe ato jofinanciare, kërkesa për standardizimin e informacioneve jofinanciare, nuk ka dyshim që do të ndodhë shumë shpejt.
Si përfundim dëshirojmë të informojmë se kohët e fundit, Accountancy Europe ka publikuar dokumentin: Interconnected Standard Setting for Corporate Reporting. Këtu përfshihen katër opsione për një zgjidhje globale të hartimit të standardeve të ndërlidhura për sistemin e raportimit të korporatave. Çështja kryesore mbetet bashkërendimi i përpjekjeve të stakeholderve të ndryshëm për hartimin e standardeve globale.
Përktehu dhe përshtati Prof. Dr. Hysen Çela