Ndikimi i COVID-19 në Auditim dhe masat e marra nga vendet e ndryshme

COVID-19 paraqet një kërcënim të rëndësishëm jo vetëm për shëndetin e njeriut, por edhe për biznesin. Për shumë biznese, masat e marra nga qeveritë për të kufizuar rrezikun që kërcënon shëndetin e popullsisë mund të shkaktojnë një rënie të papritur të kërkesës për produktet ose shërbimet e biznesit, papunësi dhe ndërprerje të furnizimit.

Për të parandaluar përhapjen e COVID-19, qeveritë kanë vendosur kufizime në lëvizjen e njerëzve drejt zonave dhe vendeve të caktuara. Këto masa kanë një ndikim të konsiderueshëm si te entitetet raportuese ashtu edhe tek audituesit.

Me kufizimet e vendosura për COVID-19 për një periudhë të papërcaktuar, audituesit po hasin pengesa në marrjen e informacionit të nevojshëm për të kryer procedurat e auditimit dhe në nxjerrjen e përfundimeve, sidomos kur entitetet e audituara kryejnë operacione në juridiksionet e prekura.

Në varësi të shkallës së ndikimit të entiteteve nga COVID-19, procedurat e planifikuara të auditimit mund të mos jenë më të vlefshme, duke kërkuar që audituesit të bëjnë modifikime në qasjet e tyre të auditimit. Ata mund të kenë nevojë edhe në kryerjen e procedurave shtesë për të vlerësuar parimin e vijueshmërisë për entitetin përkatës dhe dëmtimet direkte ose indirekte të aktiveve që vijnë nga ndikimi i COVID-19.

Qeveritë dhe autoritetet rregullatore në të gjithë botën kanë pranuar që entitetet mund të përballen me vështirësi në përmbushjen e afateve të tyre të raportimit për shkak të pengesave të paraqitura nga COVID-19 dhe e njëjta gjë vlen edhe për audituesit dhe aftësinë e tyre që t’i përfundojnë në kohë auditimet. Prandaj qeveritë kanë ofruar lehtësira për entitetet raportuese dhe audituesit, kryesisht në formën e zgjatjes së afateve të raportimit ose ofrimit të mundësisë që ata të aplikojnë për zgjatje të këtij afati.

Si pjesë e një strategjie gjithëpërfshirëse të administrimit të rrezikut, ekzistojnë një sërë veprimesh që duhet të merrni parasysh tani për të përgatitur biznesin për të menaxhuar këtë krizë dhe të ndihmoni atë kur të vijë koha për rikuperim.

Më poshtë janë listuar disa vende dhe masat përkatëse që ato kanë marrë:

Belgjikë disa profesionistë kontabël kanë ndërmarrë individualisht iniciativën për të siguruar informacion në lidhje me klientët e tyre mbi procedurat e disponueshme për subjektet që hasin vështirësi financiare gjatë krizës ekonomike aktuale. Në Belgjikë Covid-19 njihet si një arsye që SME-të të kërkojnë papunësi të përkohshme, shtyrjen e pagesave të TVSH-së, kontributeve për sigurimet shoqërore, etj.

Edhe Spanja ka marrë disa masa për të përballuar situatën e COVID-19. Ajo ka kufizuar lëvizjen e njerëzve, të qarkullimit të makinave në masën 50% dhe ka marrë masa për mbylljen e aktiviteteve në të cilat ka grumbullime të njerëzve si lokale, restorante, ceremoni fetare, mesha etj. Gjithashtu ajo ka marrë masa që mediat të transmetojnë vetëm informacionet dhe këshilllat e publikuara nga autoritetet përkatëse dhe ka vendosur masa të rrepta për ata të cilët i thyejnë këto rregulla. Si shumë vende të tjera edhe Spanja ka shtyrë të gjitha afatet për pagesat tatimore dhe deklarimin e pasqyrave financiare.

Ndërsa Mbretëria e Bashkuar ka marrë masa për mbylljen e shkollave dhe institucioneve të tjera publike, profesionistët kontabël në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë po përgatisin një sërë masash në fushën e tyre për t'iu përshtatur kësaj situate. Profesionistët kontabël po kalojnë me shpejtësi nga puna në zyrë te puna në shtëpi duke përdorur software të mbështetur në Cloud, që mund të lidhen me kompjuterin e tyre dhe tashmë lidhja me klientët nuk realizohet më ballë për ballë, por përmes telefonit ose internetit. Profesionistët kontabël në Mbretërinë e Bashkuar kanë paralajmëruar se vlera e instrumentave financiare do të bëhet e paqëndrueshme, kështu që raportimi financiar dhe dhënia e shënimeve shpjeguese që lidhen me to duhet të përcjellë të gjitha efektet materiale të COVID-19. Qeveria britanike ka marrë masa për të shtyrë afatin e pagesës së detyrimeve tatimore për t’i ndihmuar sadopak bizneset në këtë periudhë të vështirë, pavarësisht se nuk dihet ndikimi afatshkurtër ose afatgjatë i koronavirusit.

SHBA, Komisioni i Sigurisë dhe Bursës (SEC) dhe Bordi i Mbikëqyrjes Publike për Entitetet Kontabël (PCAOB) kanë rënë dakord që dhënia e shënimeve shpjeguese në pasqyrat financiare duhet të përfshijë edhe ndikimin e situatës aktuale. Ndërsa lehtësirat do të vendosen në varësi të rastit, por në varësi të rrethanave këto mund të ndryshojnë dhe të vendosen edhe më gjerë. 

Edhe vendet aziatike kanë marrë masa për të ndihmuar bizneset në këtë periudhë pandemie. Pothuajse të gjitha këto vende kanë shtyrë datën e pagesës së detyrimeve tatimore dhe datën e dorëzimit të pasqyrave financiare. Bursa e Tokyo-s dhe Hong Kong-ut kanë njoftuar se kompanitë që nuk janë në gjendje të publikojnë pasqyrat e tyre vjetore dhe tremujore, duhet të njoftojnë bursën përkatëse. Singapori ka vendosur një afat dy mujor përtej afatit normal për dorëzimin e pasqyrave financiare të audituara për vitin 2019, ndërsa Koreja e Jugut vetëm 45 ditë.

Kina, vendi nga i cili nisi kjo pandemi, njofton se ato entitete të cilat nuk mund të plotësojnë dot afatet për dorëzimin e pasqyrave financire të 2019 dhe për tremujorin e parë të 2020 duhet të aplikojnë në bursë për zgjatje të këtij afati. Komisioni Rregullator i Letrave me Vlerë të Kinës (CSRC) u shpreh se edhe firmat e auditimit që kanë vështirësi në përfundimin në kohë të auditimit mund të aplikojnë për zgjatje të afatit.