Mbi takimin e përbashkët midis organeve drejtuese të ShKÇAK-së dhe IEKA-s

Tiranë, 24 Janar 2020

Në kuadër të angazhimit të përbashkët, për të konkretizuar dhe çuar më tej marrëveshjen e bashkëpunimit midis ShKÇAK-së Kosovë  dhe IEKAs Shqipëri, e cila është në fuqi që nga viti 2014, më datën 24 Janar 2020, në zyrat e IEKA-s në Tiranë, u zhvillua një takim i përbashkët midis organeve drejtuese të dy organizmave profesionale të fushës së kontabilitetit, auditimit e shërbimeve të tjera të lidhura (SHKCAK dhe IEKA).

Për të thelluar më tej bashkëpunimin midis dy organizmave, duke patur parasysh jo thjesht gjuhën dhe kulturën e përbashkët, por mbi të gjitha, duke vlerësuar në mënyrë kritike shkallën e zhvillimit aktual ekonomik të dy vendeve, bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar të deritanishëm, ecurinë e vendeve tona në proceset integruese europiane, dhe veçanërisht, duke mbajtur parasysh rolin që ka dhe mund të luajë profesioni ynë, përmes garancisë për një raportim financiar të besueshëm, në nxitjen e mëtejshme të zhvillimit ekonomik, është koha për të ecur në një drejtim edhe më të avancuar dhe me hapa  më të shpejtë se deri më sot.

Organizmat profesionale janë ndërgjegjshëm se publiku duhet të informohet lidhur me rolin që mund të luajë profesioni ynë në rritjen e  besimit publik, në mbështetjen ndaj qeverive respektive dhe kontributin e drejtpërdrejtë në luftën kundër ekonomisë informale.

Duke parë zhvillimet ndërkombëtare, veçanërisht ato në nivele të Bashkimit Europian, përfaqësuesit e të dyja organizatave vunë theksin në rradhë në parë në rritjen e kapaciteteve të tyre, që do të shërbejnë për të ruajtur dhe rritur më tej reputacionin profesional të anëtarëve.

Në këtë aspekt u ra dakord që të punohet për hartimin e një plani konkret, në mënyrë që të bashkuar të sensibilizojmë të gjithë aktorët, faktorët, por edhe publikun, me qëllim që të
promovojmë profesionin tonë në të dyja anët e kufirit, të evidentojmë më mirë rolin e shërbimeve te anëtarëve tanë, në funksion të një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm dhe të një shoqërie me standarde sociale të përparuara.

Në perfundim të këtij takim u ra dakort se IEKA dhe ShKÇAK, do të angazhohen për:

  1. Të realizuar disa tema të përbashkëta të kualifikimit të vijueshëm profesional për vitin 2020 dhe në vazhdim, si dhe mundësinë e organizimit të Konferencave të përbashkëta;
  2. Të bashkëpunuar për kurrikulën e profesionit në trajnimet kandidatëve dhe aspirantëve për të hyrë në profesion, duke vlerësuar mundësinë e përdorimit të teksteve të përbashkëta;
  3. Të vijuar bashkëpunimin e mëtejshëm në fushën e përkthimeve dhe botimeve profesionale si të Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit, Kodit të Etikës,  SNEve etj;
  4. Të kontribuar me botime me natyrë profesionale  e shkencore nga anëtarë të ShKÇAK në revistën profesionale “Kontabilitet, Financë dhe Auditim” të IEKA-s;
  5. Të shkëmbyer eksperiencën në fushën e kontrollit të cilësisë së auditimit ligjor dhe të shërbimeve të tjera si p.sh të shërbimeve të kontabilitetit.
  6. Të bashkëpunuar në fushën e praktikës profesionaleve të kandidatëve dhe aspirantëve për të hyrë në profesion, duke vlerësuar mundësinë e njohjes pjesore të praktikave të kryera në të dy vendet.

Organizmat profesionale do të jenë aktive në përdorimin e mediave sociale për të promovuar profesionin, arritjet, por edhe zhvillimet dhe sfidat, me qëllim sensibilizimin e palëve të interesuara dhe publiku në përgjithësi.