Në kuadër të angazhimit të përbashkët, për të konkretizuar dhe çuar më tej marrëveshjen e bashkëpunimit midis ShKÇAK-së Kosovë dhe IEKAs Shqipëri, e cila është në fuqi që nga viti 2012, më datën 6 Dhjetor 2017, në selinë zyrtare të SHKCAK-së në Prishtinë, u zhvillua një takim i përbashkët midis Këshillave Drejtuese të dy organizmave profesionale të fushës së kontabilitetit, auditimit e shërbimeve të tjera të lidhura (SHKCAK dhe IEKA).
Qysh në fillim, nga të dy kryetarët, z. Nazmi Pllana dhe z. Hysen Çela, nga drejtoresha ekzekutive e SHKCAK-së, zj. Ardiana Bunjaku, por edhe nga anëtarët e tjerë të Këshillave Drejtuese, u evidentua fakti se të dy organizatat tona deri më sot kanë bërë një punë të lavdërueshme duke punuar në mënyrë te përbashkët në shumë fusha e drejtime profesionale e teknike.
Megjithatë, për të thelluar më tej bashkëpunimin midis nesh, duke patur parasysh jo thjesht gjuhën dhe kulturën tonë të përbashkët, por mbi të gjitha, duke vlerësuar në mënyrë kritike shkallën e zhvillimit aktual ekonomik të dy vendeve tona, bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar të deritanishëm, ecurinë e vendeve tona në proceset integruese europiane, dhe veçanërisht, duke mbajtur parasysh rolin që ka dhe mund të luajë profesioni ynë, përmes garancisë për një raportim financiar të besueshëm, në nxitjen e mëtejshme të zhvillimit ekonomik, në promovimin e investimeve vendase e të huaja, etj.; ne mendojmë se është koha të lëvizim në një drejtim edhe më të avancuar dhe me hapa më të shpejtë se deri më sot.
Ne jemi të ndërgjegjshëm se publiku nuk është mjaftueshëm i vetëdijësuar lidhur me rolin që mund të luajë profesioni ynë në rritjen e besimit publik, në mbështetjen ndaj qeverive tona dhe kontributin direkt ne luftën kundër ekonomisë informale dhe tregut gri.
Duke parë zhvillimet ndërkombëtare e, posaçërisht ato në nivel të Bashkimit europian, përfaqësuesit e të dyja organizatave tona e vunë theksin në rradhë të parë në zhvillimet e tyre të pritshme të brendshme vetë reformuese, që do të shërbejnë për të ruajtur dhe rritur më tej reputacionin profesional të anëtarëve.
Ne këtë aspekt u ra dakord që të punohet për hartimin e një plani konkret, në mënyrë që të bashkuar të sensibilizojmë të gjithë aktorët, faktorët, por edhe publikun, me qëllim që të promovojmë profesionin tonë në të dyja anët e kufirit, të evidentojmë më mirë rolin e shërbimeve te anëtarëve tanë, në funksion të një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm dhe të një shoqërie me standarde sociale të përparuara.
Më konkretisht, u ra dakord që brenda një afati kohor të shkurtër, të ngrihet një grup pune i përbashkët, ku do të ketë nga 2-3 përfaqësues nga secila organizatë, SHKCAK dhe IEKA, të cilët do të paraqesin një projekt plan të veprimeve, i cili do te përmbajë fushat kryesore të veprimtarisë tonë të përbashkët për një periudhë afatshkurtër e afatmesme. Në takim u sugjerua që në projekt planin e veprimit të përfshihen çështjet në vijim, por pa u kufizuar vetëm në to, duke parë mundësinë e përfshirjes edhe të atyre çështjeve që lidhen edhe me bashkëpunimin ndërqeveritar, si dhe çështje të tjera që do të dalin në vazhdimësi. Për këtë qëllim ShKÇAK dhe IEKA angazhohen se:
- do të punojnë në mënyrë te përbashkët për riaktivizuar botimet me natyrë profesionale e shkencore. Për të riaktivizuar publikimet periodike, do të ngrihet ekipi i përbashkët i redaksisë për revistën profesionale “Kontabilitet, Financë dhe Auditim”;
- brenda tremujorit të parë të vitit 2018, do të organizojnë një tryezë të përbashkët me përfaqësues nga të dy organizatat, por edhe me palë të tjera të interesit, ku temat do të përfshijnë aspektet ekonomike dhe rolin që duhet të luajnë shërbimet profesionale. Nga kjo tryezë e rrumbullakët do të përgatitet një dokument i i përbashkët ku do të theksohet rëndësia e profesionit, roli i tij në luftën kundër informalitetit, në luftën ndaj korrupsionit, në promovimin e transparencës dhe kontributin në zhvillimin ekonomik, e cila do t’iu dorëzohet organeve përkatëse (ministrive respektive të ekonomisë e financës) në të dyja shtetet;
- do të punojnë për të organizuar një takim të përbashkët me ministritë e financave dhe të ekonomisë për të diskutuar çështje me rëndësi për profesionin, por edhe për zhvillimet në të dy vendet, kjo në kuadër edhe të marrëveshjeve të nënshkruara midis dy qeverive tona.
- do të shikojnë mundësinë për të organizuar një takim të përbashkët edhe me të dy komisionet e ekonomisë të dy parlamenteve të vendeve tona, me qëllim vendosjen e objektivave të qarta për përafrimin e legjislacionit të profesionit e të biznesit, çka do të rriste me shumë shanset për integrimin dhe veçanërisht, do të krijonte lehtësira të mëtejshme biznesi dhe profesionale.
- do të organizojnë një Konference të përbashkët me datat 27-29 qershor 2018 në Vlorë, në përfundim të mbledhjeve vjetore të asambleve të përgjithshme respektive dhe të sesioneve të kualifikimit të vijueshëm. Kjo konferencë, e cila do të njihet edhe si input për qëllime të kualifikimit profesional të vijueshëm ( EVP), do të shërbejë si një platformë për të diskutuar për zhvillimet e ardhshme të profesionit dhe kontributit që duhet të japin organizmat tona profesionale.
- do të punojnë për të rishikuar statutet e tyre për të parë mundësinë për të ofruar forma të reja të anëtarësimit si p.sh. Anëtar Nderi, Anëtar i afiliuar, etj., në të dy organizatat respektive. Gjithashtu ne këtë kuadër, u diskutua që të punohet për të përgatitur një dokument me propozim për njohje reciproke, i cili t`u paraqitet për miratim organeve kompetente të të dyja vendeve.
- do të bashkëpunojnë në fushën e trajnimit dhe të praktikës profesionaleve të kandidatëve dhe aspirantëve për të hyrë në profesion, duke vlerësuar mundësinë e njohjes pjesore të praktikave të kryera në të dy vendet.
Të dy organizmat tona ShKÇAK dhe IEKA do të shikojnë mundësinë që të përdorin kanalet e medias në të dy vendet për të promovuar profesionin, arritjet, por edhe zhvillimet dhe sfidat, me qëllim që të sensibilizohen jo vetëm organet kompetente qeveritare, por edhe palë të tjera të interesuara dhe publiku në përgjithësi.
Në përfundim, u ra dakord që ky dokument i përbashkët të publikohet në websitet respektive, në median e shkruar dhe atë vizive, me qëllim që të bëhet më shumë për sensibilizimin në lidhje me frymën bashkëpunuese të të dy organizatave tona dhe për profesionin kontabël e të auditimit.