Përgjigja e organizatave profesionale në kushtet e Covid 19.
Në fokus të diskutimeve ishte informimi mbi reagimin e organizatave profesionale dhe ndarja e përvojave të tyre në rajon por dhe më gjerë duke mbajtur në vëmendje mundësitë për të kaluar së bashku këto periudha të vështira dhe diskutimet për të ardhmen e profesionit të audituesit ligjor.
Kryetarja e Këshillit Drejtues të IEKAs zj. Eleonora Olli, ndau me pjesëmarrësit veprimtaritë e kryera nga Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar, në kushtet e Covid 19 në lidhje me:
1. Strategjitë e zhvilluara për të vazhduar ofrimin e shërbimeve për anëtarët dhe përmbushjen e përgjegjësive rregullatore të organizatës.
- Identifikimi i të gjitha shërbimeve që mund të realizohen me punë nga shtëpia (remotely), siç janë komunikimi i informacioneve, ndryshimeve ligjore, deri tek mundësia e kryerjes së trajnimeve.
- Vlerësimi i nevojave të stafit, në lidhje me pajisjet kompjuterike për të punuar nga shtëpia.
- Vlerësimi i mundësisë së kryerjes së një pjese të punëve të auditimit në kushtet e distancimit social duke përdorur programet e auditimit (Përdorimi i Caseware Audit file për auditimet e PF 2019).
- Mundësia e organizimit të trajnimeve online në kuadër të vazhdimit sipas komponentit përkatës të projektit.
- Stafi ekzekutiv i IEKA, duke përdorur pajisjet e veta ose të IEKAs që nga data 16 Mars 2020 po vijon punën nga shtëpia. Veprimtaritë kryesore konsistojnë në përgatitjen e materialeve informuese për anëtarët, njohja me ndryshimet ligjore, përgjigjet për pyetje të ndryshme, përkthime të materialeve të ndryshme, përfshirë kompletimin e përkthimeve të SNA-ve, standardet e lidhura dhe të etikës profesionale, përgatitja e guidave, etj.
- Koordinimi i punës së stafit bëhet duke përdorur platformën Zoom. Stafi ekzekutiv dhe Kryetari i KD organizojnë takime të shpeshta.
- Në webin e IEKA më datën 31 Mars u hap një Rubrikë e re “Covid 19” me informacione aktuale në shërbim të anëtarëve.
- Rubrika është e integruar me rubrikën IFAC Covid – 19 Resources dhe ka një shikueshmëri të madhe.
- Rubrika Covid 19 mund të aksesohet edhe nga telefoni celular Android duke përdorur aplikacionin Aggregator dhe nga Iphone duke përdorur aplikacionin Feedly & Fiery Feeds.
- Në shërbim të nevojave të anëtarëve, bazuar në programin e punës të miratuar për vitin 2020 nga KD, Audituesit Ligjorë janë njoftuar me e-mail dhe në faqen web të IEKAs se IEKA do të kryejë të gjitha aktivitetet dhe funksionet pothuajse si më parë.
Cdo ditë audituesit marin informacion për masat organizative të qeverisë dhe masat e IEKAs në kushtet e Covid 19.
Disa nga publikimet në rubrikën “Covid 19” në web të IEKA deri në datën 9 Prill 2020:
- Masat e marra nga Qeveria Shqiptare, vendime dhe akte normative në lidhje me ndihmën për profesionin dhe biznesin. (kryesisht ndihma për biznesin e vogël me xhiro deri 115 000 euro ose 130 000 $);
- Këshilla si audituesit mund të punojnë nga shtëpia;
- Si audituesit ligjorë mund të ndihmojnë bizneset;
- Bashkëpunimi midis audituesve në kushtet Covid 19;
- Ndikimi i Covid 19 në punën e audituesve ligjorë;
- Zbatimi i Kërkesave të disa SNA-ve gjatë Auditimit Ligjor të Pasqyrave Financiare 2019 në Kushtet e Vlerësimit të Rrezikut të shkaktuar nga Covid 19;
- Përkthime të artikujve nga IFAC, FCM, EFAA për Për raportimin e korporatave.
2. A është organizata gati për operim nga distanca? Cilat teknologji shihen si efektive? Cilat janë sfidat e kësaj periudhe dhe si mund të zgjidhen ato?
- IEKA ka më shumë se 3 javë (nga data 16 Mars 2020) që po punon për të operuar në distancë. Jemi informuar dhe njohur me aplikacione të ndryshme që ofrojnë këtë mundësi si për shembull Microsoft teams, Go to Meeting, Zoom, Google Classroom, Webex, etj.
- Kualifikimi i vijueshëm i anëtarëve është propozuar të bëhet me aplikacionin Zoom Meeting me 40 pjesëmarrës në periudhën Maj – Qershor 2020.
- Kualifikimi i kandidatëve që kryejnë praktikën profesionale me Google Classroom rreth fundit të muajit Prill 2020.
- IEKA ka testuar funksionimin e aplikacioneve/platformave Zoom e Google Classroom.
- IEKA ka miratuar temat e trajnimit dhe është në proces të miratimit të lektorëve për kualifikimin e vijueshëm të anëtarëve dhe kandidatëve.
- IEKA është në proces operimi për realizimin e Mbledhjes së Përgjithshme të Anëtarëve dhe votimin e vendimeve për miratimin e Pasqyrave Financiare, Raportit të Kontrollit të Brendshëm dhe Raportit të Auditimit për Pasqyrat Financiare të vitit 2019, e të tjera vendime.
3. Cilat janë rreziqet kryesore që duhet të zvogëlohen dhe cilat strategji do të zgjedhim?
Rreziqet kryesore, lidhen me pamundësinë e përgatitjes kryesisht të një kategorie të anëtarësisë, e cila ka nevojë për trajnime në lidhje me përdorimin e teknologjive të reja të
punës dhe komunikimit.
Problemet financiare, për mirëmbajtjen e platformave, por edhe për të përballuar kostot e leksioneve për mësimdhëniet ndaj anëtarëve e kandidatëve. Po shohim mundësinë, që të realizojmë trajnime në platforma ku mund të marrin pjesë një numër më i madh individësh, duke i ndarë trajnimet në dy pjesë: paraqitja e temës bazë (temat do të jenë sa të jetë e mundur të reja) dhe pjesa e pyetjeve, përgjigjeve e sqarimeve, duke krijuar një mundësi që mund të bëhen pyetje edhe jashtë orarit online të mësimdhënies. Natyrisht, rrezik është zgjedhja e një platforme që mund të përdoret edhe pas Corona virusit, e cila mund të garantojë regjistrimin e pjesëmarrësve dhe në një të ardhme edhe testime të thjeshta, apo votimin elektronik.
Duhet të bëjmë kërkime mbi këto platforma, duke vlerësuar lehtësinë e përdorimit të tyre dhe kostot përkatëse.
Pra strategjia bazë është të bëjmë ato zgjidhje që do të na shërbejnë edhe nesër.
4. A kemi burime për të ndarë ose mundësi për të bashkëpunuar?
IEKA është një Institut i vogël, por gjithsesi ne mund të kontribuojmë për të ndarë me të tjerët format e punës, të cilat kanë bërë që veprimtaria e IEKAs edhe në kushtet e Covid 19, të mos ndërpritet. Ne vijojmë kooperimin me kolegët nga SCAAK Kosovë, sidomos me përkthimet më të fundit profesionale, sikurse prej tyre marrim informatat për zhvillimet përkatëse.
IEKA ka rënë dakord në parim me kolegët nga SCAAK Kosovë për të organizuar trajnime të përbashkëta për anëtarët në sesionin e parë të kualifikimit të parashikuar në Maj-Qershor 2020.
Eleonora Olli
Kryetar i Këshillit Drejtues të IEKAs