Masat e reja për parandalimin e COVID-19

Sot, më datë 11.11.2020 hyjnë në fuqi masat e reja të propozuara nga Komiteti Teknik i Ekspertëve për parandalimin e COVID-19. Bazuar në urdhërat nr.615 dhe nr.616  datë 09.11.2020 të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale kufizohet lëvizja e qytetarëve dhe ndalohen aktivitetet e bareve, restoranteve, fast food-eve, lokaleve që ofrojnë shërbim për klientët nga ora 22:00 deri në orën 06:00, në të gjithë vendin deri në datën 02.12.2020.

Përjashtim nga ky urdhër bëjnë personat që duhet të lëvizin për emergjenca shëndetësore, motive pune apo nevoja të domosdoshme dhe shërbimet në banesë (delivery), që duhet të kryhen duke respektuar rregullat higjenike të miratuara. Personat që lëvizin për arsye pune apo arsye të domosdoshme duhet të pajisen me autorizimin përmes portalit e-Albania. Personeli i shëndetësisë, punonjësit e strukturave të shërbimeve kritike përjashtohen nga rregulli  i aplikimit në portalin e-Albania, duke patur dokumentacionin që vërteton punësimin pranë këtyre institucioneve.

Gjithashtu Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale zj.Manastirliu bëri me dije se administrata do të punojë nga shtëpia për tre javë, si një tjetër masë për të frenuar përhapjen e infeksionit. Përjashtim bëjnë strukturat ofruese të shërbimeve duke zbatuar protokollet e sigurisë.

Për të lexuar urdhërin për mbylljen e bareve, restoranteve dhe lokaleve, klikoni këtu.

Për të lexuar urdhërin për kufizimin e lëvizjes brenda vendit, klikoni këtu