Këshilli Drejtues i IEKAs, në vijim të punës së deritanishme dhe në plotësim të objektivave të tij, ka udhëhequr punën për përkthimin dhe sjelljen në gjuhën shqipe të gjitha ndryshimeve që kanë pësuar së fundmi standardet ndërkombëtare të auditimit që kanë lidhje me ndryshimet sinjifikative që do të ndodhin në raportimin e audituesit, duke nisur nga viti i ardhshëm. Kjo ka qënë një punë jo e lehtë, pasi nuk është mjaftuar thjesht në realizimin e një përkthimi cilësor e profesional, por ka qenë shoqëruar e do të shoqërohet me përgatitjen e një serie leksionesh që do ti shërbejnë zbatimit më mirë në praktikë të kërkesave të standardeve të reja. Në kuadër të sesionit të kaluar të kualifikimit të vijueshëm, të zhvilluar në muajin qershor 2016, anëtarët e IEKAs u informuan me ndryshimet në SNA 700 dhe do të vazhdojnë të thellojnë njohuritë e tyre nëpërmjet një trajtimi më të plotë që ilustron raportet sipar llojit të opinioneve, kategorive të klientëve, çështjeve që duhet të komunikohen në sesionin e dytë të kualifikimit të vijueshëm, që do të zhvillohet gjatë muajit nëntor të këtij viti.
Standardet e reja dhe të rishikuara të Raportimit të Audituesit janë hartuar për të zgjeruar/përmirësuar raportin e audituesit për investitorët dhe përdoruesit e tjerë të pasqyrave financiare. Fokusi i të gjithë ndryshimeve në SNA-të e raportimit të auditimit është përmirësimi i komunikimit të audituesit me palët e interesuara dhe shtimi i vlerës për
biznesin.
Duke qenë se raporti i audituesit është “produkti” kryesor i komunikimit të rezultateve të procesit të auditimit, përmirësimi i tij lidhet me plotësimin në radhë të parë të kërkesave të investitorëve të kapitalit.
Investitorët dhe përdoruesit e tjerë të pasqyrave financiare vazhdimisht kanë kërkuar dhe kërkojnë një raport më informues nga ana e audituesve me synimin që audituesit të japin informacion më të vlefshëm/të përshtatshëm për përdoruesit.
Raportimi i zgjeruar i audituesit konsiderohet si kritik për vlerën e perceptuar të auditimit të pasqyrave financiare dhe në këtë mënyrë për rëndësinë e vazhdueshme të profesionit të auditimit.
Disa nga Përfitimet e synuara Nëpërmjet raportit të ri të audituesit:
- Komunikim më i zgjeruar ndërmjet audituesve dhe investitorëve, si dhe personave të ngarkuar me qeverisjen;
- Rritje e besimit të përdoruesit ndaj raporteve të auditimit dhe pasqyrave financiare;
- Rritje e transparencës, cilësisë së auditimit, dhe më shumë vlerë për informacionin e dhënë;
- Më shumë vëmendje nga ana e drejtimit dhe përgatitësve të pasqyrave financiare për informacionet shpjeguese që i referohen raportit të audituesit;
- Riorientim i fokusit të audituesit për çështjet që duhen raportuar, që mund të rezultojë në një rritje të skepticizmit profesional;
- Raportim financiar më i zgjeruar në interes të publikut;
Në funksion të këtij objektivi, IEKA ka publikuar në një version elektronik në formatin pdf një tekst prej rreth 300 faqe, ku përfshihen:
- SNA 700 (i rishikuar)
- SNA 701 (i ri)
- SNA 705 (i rishikuar)
- SNA 706 (i rishikuar)
- SNA 720 (i rishikuar)
së bashku me të gjitha amendimet konformuese në SNA-të ekzistuese që lidhen me SNA-të e reja dhe ndryshimet përkatëse.
Keto standarde bëhen të detyrueshme për t’u zbatuar për auditimet e pasqyrave financiare të periudhave që përfundojnë më datën 15 Dhjetor 2016, ose pas kësaj date, që do të thotë se audituesit do të ndryshojnë mënyrën e raportimit për të gjitha raportet e audituesit që do të lëshohen gjatë vitit 2017 (për pasqyrat e vitit 2016) e në vijim.
Duke qenë se IEKA është në proces të përkthimit të të gjitha standardeve të rishikuara (jo vetëm të atyre që kanë të bëjnë me raportimin e audituesit), do të njoftojmë anëtarët sa herë në linkun e dërguar të shtohen standarde të tjera të rishikuara, të përkthyera në gjuhën shqipe.