Kualifikimi i Vijueshëm i Anëtarëve te IEKA – sesion një ditor më 19 dhjetor 2015

Janinë, 19 Dhjetor 2015

Pjesën e mbetur të kualifikimit të vijueshëm të anëtarëve për vitin 2015, Këshilli Drejtues i IEKAs, në zbatim të Vendimit të Asamblesë së Përgjithshme të Anëtarëve  Nr. 115, datë 29.06.2015, fillimisht parashikoi ta zhvillojë në Stamboll, Turqi. Por nisur nga ngjarjet e fundit, KD u gjend përpara mundësisë ose të shtyrjes së aktivitetit për vitin tjetër ose të realizimit të tij në një vend tjetër. Megjithatë, në kushtet kur kërkesat e anëtarëve tanë, për të zhvilluar aktivitetin u shtuan, Këshilli Drejtues vendosi të organizojë  atë në Greqi, në Janinë.

Trajnimi i parashikuar u zhvillua më datën 19.12.2015, në mjediset e  Hotel Epirius Palace. Fokusi kryesor i këtij trajnimi ishte (i) thellimi i njohurive mbi çështjet e auditimit fiskal, dhe (ii) Azhornimi me ndryshimet në SNA-të që nga publikimi në shqip nga IEKA i SNA-ve të qartësuara të IFAC (clarified ISAs).
Për sa i takon cështjes së parë, anëtarët e pranishëm u njohën në detajë me përvojën e Greqisë. Nga IEKA, përmes organizmit profesional të audituesve të Greqise (SOEL), u bë e mundur të realizohej një prezantim nga EKR z. Marios Fasoulas, përfaqësues i firmës më të madhe të auditimit Greqi (SOL) në rajonin e Janinës, i cili shpjegoi për anëtarët tanë rolin e profesionit të audituesit në Greqi, cështjet e auditimit ligjor, duke u fokusuar kryesisht në  shërbimin e auditimit për qëllime tatimore, rolin e audituesit në këtë shërbim, penalitetet, pasojat, etj. Kjo pjesë e  sesionit u shoqërua me shumë pyetje e përgjigje për çështje të ndryshme dhe me interes për anëtarësinë.

Cështja e dytë e trajnimit, lidhej me marrjen e njohurive nga anëtarët e IEKAs në lidhje me ndryshimet që kanë ndodhur në SNA-të, që nga publikimi më i fundit në shqip i manualit të SNA-ve të qartësuara të IAASB-se. Materiali i këtij trajnimi u qarkullua në mënyrë  elektronike  tek të gjithë anëtarët. Ndryshimet më të mëdha janë në formën e amendimeve konformuese që rrjedhin nga rishikimi i disa  standardeve dhe sidomos nga publikimi i standardit të ri të raportimit të auditimit. Është rasti të theksojmë se në programin ambicioz të IEKAs është parashikuar të bëhet një azhornim i plotë me përkthim i të gjitha ndryshimeve në SNA, si edhe të fillojë puna  për publikimin e  volumit të standardeve të tjera të Shërbimeve të Lidhura, të Dhënies së Sigurisë, të Rishikimit, etj., të cilat gjithashtu i janë nënshtruar një rishikimi që nga publikimi i fundit.

Bashkëlidhur po ju dërgojmë edhe prezantimin e seminarit.

Duke qenë se jemi afër fundit të vitit 2015, të cilit i pararend një stinë e bukur e festive e Krishtlindjeve dhe e Vitit të ri, Përfitojmë nga rasti që në emër të Kryetarit të Këshillit, Drejtues të anëtarëve të Këshillit Drejtues, të Drejtorit Ekzekutiv dhe të gjithë personelit Ekzekutiv të IEKAs, të urojmë të gjithë anëtarët tanë Gëzuar!  Gëzuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2016!  Një vit sa më i mbarë e më i begatë për të gjithë Ju, dhe njerëzit Tuaj më të dashur. Shëndet, Suksese dhe Plot Arritje për të gjithë Ju!