Me urdhërin e qeverisë për qëndrimin në shtëpi, shumë biznese në Shqipëri janë detyruar të praktikojnë punën nga shtëpia për punonjësit e tyre për të reduktuar në këtë mënyrë ekspozimin dhe përhapjen e pandemisë mes tyre.
Në kushte të tilla, cdo organizatë duhet të inkurajojë punonjësit e saj që të punojnë nga shtëpia. Me poshtë paraqiten katër këshilla që ndihmojnë në menaxhimin e kësaj situate në mënyrë që produktiviteti i firmës suaj të jetë siç është në kushte normale:
1. Komunikoni vazhdimisht
Në një situatë të tillë ose jo, çelësi për të punuar nga shtëpia është komunikimi i vazhdueshëm me shefin tuaj dhe përcaktimi saktësisht i pritshmërive tuaja. Cdo ditë shefi duhet të komunikojë objektivat e ditës të cilat çdo punonjës duhet të ariijë.
Gjithashu qëndroni në kontakt me kolegët tuaj për të diskutuar për vështirësi të ndryshme që mund ti hasni gjatë punës në shtëpi.
Ka disa aplikacione të cilët ndihmojnë në pasjen e një komunikimi efektiv, siç është aplikacioni Slack, Zoom apo Skype.
2. Silluni sikur jeni në zyrë
Nëse nuk keni një zyrë në shtëpi, bëni sa më shumë që të mundeni për të krijuar një hapësirë të ngjashme me ambientin punës. Në vend që të shtriheni në shtrat me një laptop, provoni diçka më movituese. Këshilla do të ishte për një cep larg gjërave që ju tërheqin vëmendjen, ku të uleni me karrige përpara kompjuterit, duke simuluar kështu vendin e punës.
Është e rëndësishme po kështu të krijoni barriera me njerëzit që keni në shtëpi duke mos punuar në të njejtën dhomë që ata qëndrojnë. Me një hapësirë pune të përcaktuar ku mund të përqëndroheni, edhe vetë puna në distancë bëhet më e lehtë.
3. Mbajeni humorin lart
Izolimi i gjatë mund të ketë impakt mbi moralin dhe produktivitetin tuaj, por sa më shumë përpjekje të bëni për të vendosur komunikimin me kolegët, aq më shumë shanse keni për të shmangur ndjenjën e izolimit që mund të çojë në depresion. Zgjidhja për pengesat e punës nga shtëpia përfshin sa më shumë ndërveprim, qoftë edhe ballë për ballë në internet përmes video call-s e sigurisht, komunikimi i rregullt me menaxherët.
Gjithashtu mundohuni të mendoni pozitivisht. Në vend që të mendoni për vështirësitë e të punuarit nga shtëpia mendoni për përfitimet e saj si për shembull fakti që ka më pak ndërprerje nga kolegët, ulja e stresit të rrugës dhe kostove financiare të saj.
Nëse jeni menaxher, ju takon juve të ofroni një komunikim të qartë dhe është gjithashtu e
rëndësishme të mbani moralin lart. Është e lehtë të stresohesh apo të dëshpërohesh këto ditë, por nëse jeni menaxher, pranoni se do të keni stres dhe vështirësi dhe përballuni me to. Detyra juaj është të jeni një nxitës i shkëlqyer për ekipin.
4. Vendosni disa kufi në orare
Ka nga ata punonjës që kanë tavolinë pune edhe në dhomën e tyre të gjumit dhe e kanë të pamundur të shkëputen prej saj. Të punuarit nga shtëpia nuk do të thotë që ju ta kaloni të gjithë ditën vetëm duke punuar, sepse nuk duhet kurrsesi të hiqni dorë dhe nga aktivitetet tuaja personale. Për këtë arsye, ju duhet të vendosni disa kufi, si për shembull orari kur ju duhet të përfundoni punën dhe të mos rrini gjatë gjithë kohës përpara kompjuterit.
Të punuarit nga shtëpia mund të jetë një sfidë për këdo, por është zgjidhja e vetme dhe e duhura për ndalimin e përhapjes së kësaj pandemie.