IFAC PËRCAKTON PESË FAKTORËT PËR NJË AUDITIM TË CILËSISË SË LARTË

Auditimet e cilësisë së lartë janë themelet e sistemit financiar global. Çdo vit, mijëra auditime, përfshirë mbi 40,000 auditime të kompanive të listuara në bursë – ndihmojnë në rritjen e transparencës dhe besueshmërisë së organizatave, tërheqjen e investitorëve, hapjen e vendeve të reja të punës dhe rritjen ekonomike në përgjithësi.

Federata Ndërkombëtare e Kontabilistëve (IFAC) dhe profesioni kontabël në rang global janë përkushtuar në përmirësimin e vazhdueshëm dhe vënien në dukje të pasojave negative të çdo dështimi në auditim. Duke qenë se rishikimet e auditimit variojnë sipas juridiksioneve të ndryshme kombëtare, IFAC ka nxjerrë rekomandimet e veta për arritjen e auditimeve të cilësisë së lartë.

Lidhur me këtë çështje CEO i IFAC, Kevin Dancey, shprehet se “Auditimi kontribuon në mënyrë domethënëse në funksionimin e organizatave, tregjeve financiare dhe ekonomive. Ndërkohë që, edhe pse mijëra auditime kryhen çdo vit pa asnjë problem, nevojiten përmirësime për të siguruar një cilësi të lartë të qëndrueshme. Për këtë, nevojitet që pjesëmarrësit në procesin e auditimit dhe dhënies së sigurisë të punojnë së bashku për të arritur auditime të cilësisë së lartë.”

Në këtë aspekt, IFAC ka identifikuar pesë faktorë thelbësorë: procesi, njerëzit, qeverisja, rregullimi dhe vlerësimi i duhur.

IFAC i drejtohet të gjithë pjesëmarrësve për të krijuar një mjedis që prodhon në mënyrë të vazhdueshme auditime të cilësisë së lartë. Në veçanti, firmat, Organizatat Profesionale të Kontabilitetit (PAO), rregullatorët, komitetet e auditimit dhe profesionistët e auditimit/shërbimeve të sigurisë duhet të punojnë për:

  • Trajtimin e auditimeve si shërbime që shtojnë vlerë për kompaninë dhe jo vetëm si shërbime të pajtueshmërisë;
  • Krijimin e shërbimeve të reja të sigurisë për të plotësuar nevojat e të gjithë palëve të interesit;
  • Përqëndrimin e vazhdueshëm në përmirësimin e aftësive dhe kompetencave, në mbështetje të parimeve etike themelore;
  • Sigurimin e diversitetit gjatë procesit të punësimit;
  • Rritjen e transparencës dhe komunikimit të komiteteve të auditimit, firmave dhe PAO-ve;
  • Përshtatjen e një qasjeje për rregullim të kujdeshme dhe të bazuar në evidencë.

Si zëri global për profesionin kontabël, IFAC punon në interes të publikut dhe fokusohet mbi rolin e profesionistëve kontabël në auditim dhe dhënien e sigurisë – por gjithmonë dhe detyrimisht si partnerë në një ekosistem të madh që lufton për rezultate më të mira.“ u shpreh Dancey. “I drejtohemi rregullatorëve dhe PAO-ve për të mbledhur, analizuar dhe publikuar të dhëna më të shumta dhe më të mira mbi cilësinë e auditimit me qëllim forcimin e transparencës dhe promovimit të një cilësie më të lartë të auditimit.”

Për të lexuar materialin e plotë, klikoni këtu.