IAASB KA PUBLIKUAR PROJEKTIN PËR RISHIKIMIN E SNA 500 “EVIDENCA E AUDITIMIT”

Grupi i Punës së Evidencës së Auditimit të IAASB-së ka publikuar projektin për rishikimin e SNA 500 “Evidenca e Auditimit”. Standardi Ndërkombëtar i Auditimit (SNA) 500 shpjegon se çfarë përbën evidencë auditimi në një auditim të pasqyrave financiare dhe trajton përgjegjësinë e audituesit për të hartuar dhe kryer procedurat e auditimit për të marrë evidencë auditimi të mjaftueshme dhe të përshtatshme me qëllim që ai të jetë në gjendje të nxjerrë konkluzione të arsyeshme mbi të cilat do të bazohet opinioni i audituesit.
SNA 500 është publikuar në dhjetor të vitit 2008 dhe që atëherë nuk janë bërë ndryshime, pavarësisht se mënyra e të bërit biznes është bërë më komplekse. Zhvillimet në teknologji kanë ndikuar në mënyrën sesi entitetet operojnë, përpunojnë informacionet dhe në mënyrën sesi audituesit kryejnë procedurat e auditimit si rezultat i përdorimit të inteligjencës artificiale, robotikës, platformave të pagesave dixhitale etj.
Grupi i Punës së Evidencës së Auditimit, nën drejtimin e Bordit të IAASB, aktualisht është duke zhvilluar projekt-propozimin për rishikimin e SNA 500. Ky projekt-propozim do të diskutohet dhe miratohet nga Bordi në takimin që do të zhvillohet në dhjetor të 2020. Grupi i Punës së Evidencës së Auditimit ka përgatitur një listë paraprake të çështjeve që do të trajtohen dhe i ka kategorizuar ato në tre grupe:

  • Ndryshimet e burimit të informacionit dhe sesi informacioni përpunohet, komunikohet dhe përdoret
  • Zhvillimet e vazhdueshme në teknologji
  • Skepticizmin profesional

Nga janari deri në nëntor të vitit 2021, pritet që të realizohet zhvillimi i çështjeve të paraqitura në projekt propozim, diskutimi me palët e interesuara për pikat kyçe të rishikimit dhe hartimi i draftit të rishikuar të SNA 500.
Në dhjetor të vitit 2021 pritet të aprovohet drafti nga IAASB, duke përfshirë ndryshimet e rëndësishme në SNA-të e tjera, duke lënë një afat 120 ditor për tu komentuar.
Nga qershori 2022 deri në shkurt 2023 do të diskutohet me  palët e interesuara për çështjet kryesore dhe do të analizohen përgjigjet e komenteve për hartimin e standardit final.
Sipas planit të IAASB pritet që në mars 2023 të miratohet SNA 500 (i rishikuar).