IAASB HAP KONSULTIMIN PUBLIK PËR NJË STANDARD TË RI TË PROPOZUAR PËR AUDITIMET E PASQYRAVE FINANCIARE TË ENTITETEVE MË PAK KOMPLEKSE

Bordi Ndërkombëtar i Standardeve të Auditimit dhe Sigurisë (IAASB) publikoi një projekt propozim të standardit të tij të ri, për auditimet e pasqyrave financiare të njësive ekonomike më pak komplekse (të vogla dhe të mesme). Ky draft standard i ri i përgjigjet nevojave për të pasur një paketë të kërkesave të cilësisë së lartë të përshtatura për nevojat e entiteteve më pak komplekse (LCE).

Standardi i ri për auditimet e pasqyrave financiare të LCE-ve do të sigurojë për të patur një kuadër auditimi global dhe të qëndrueshëm, në një kohë kur disa vende dhe juridiksione kanë zhvilluar standarde të vecanta për EVM-të ose iniciativa të tjera të ngjashme. Publikimi i projekt propozimit është pjesë e një përpjekjeje në shkallë të gjerë për të zvogëluar kompleksitetin, për të përmirësuar kuptueshmërinë dhe për t’i bërë Standardet Ndërkombëtare të Auditimit (SNA) më të shkallëzuara dhe proporcionale me rrethanat e subjekteve të audituara.

Kryetari i IAASB Tom Seidenstein është shprehur se “Entitetet e vogla, më pak komplekse, luajnë një rol jetik në ekonominë botërore. IAASB i ka dhënë prioritet adresimit të nevojave të grupeve të interesit që përfaqësojnë këto njësi gjatë tetëmbëdhjetë muajve të fundit. Objektivi i standardit tonë të ri, të propozuar, shprehet Mr. Seidenstein, është përqëndrimi i duhur i punës së audituesve përmes kërkesave të hartuara për të qenë proporcionale me natyrën tipike dhe rrethanat e njësive ekonomike më pak komplekse. Ne nuk bëjmë kompromis me cilësinë e auditimit.”

IAASB inkurajon fuqimisht të gjithë grupet e interesit që të dërgojnë reagimet e tyre deri më 31 janar 2022. Standardi është i rëndësishëm për përdoruesit e pasqyrave financiare, pronarët, drejtimin dhe ata që janë të ngarkuar me qeverisjen e njësive, hartuesit e pasqyrave financiare, autoritetet ligjvënëse ose rregullatore, organizatat përkatëse me autoritetin e hartimit të standardeve, organizatat profesionale të kontabilitetit, akademikët, rregullatorët dhe organet e mbikëqyrjes së auditimit, si dhe audituesit dhe ndër të tjera, shoqëritë e auditimit.

Grupet e interesit mund të dërgojnë përgjigje përmes klikimit online në rubrikën “Dorëzo Koment”. Projekti i propozimit do të jetë gjithashtu i disponueshëm në frëngjisht dhe spanjisht në fillim të shtatorit 2021. IAASB po planifikon gjithashtu një shtrirje në draft standardin e ri; një plan informimi do të jetë i disponueshëm në faqen e internetit të IAASB në fund të gushtit 2021.

Rreth IAASB

IAASB harton standardet e auditimit dhe sigurisë dhe udhëzimet e përdorimit për të gjithë profesionistët kontabël nën një proces të përbashkët të hartimit të standardeve që përfshin Bordin e Mbikëqyrjes së Interesit Publik, i cili mbikëqyr veprimtaritë e IAASB dhe Grupi Këshillimor Konsultativ i IAASB, i cili siguron kontributin e interesit publik në zhvillimin e standardeve dhe udhëzimeve. Strukturat dhe proceset që mbështesin operacionet e IAASB asistohen nga Federata Ndërkombëtare e Kontabilistëve (IFAC). Për informacione mbi të drejtën e autorit, markën tregtare dhe autorizimet, kontaktoni permissions@ifac.org.