BSNAS PUBLIKON STANDARDET PËRFUNDIMTARE PËR TË PËRMIRËSUAR RAPORTIN E AUDITUESIT

Bordi i Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit dhe Shërbimeve të Sigurisë (BSNAS/IAASB) ka publikuar standardet e reja dhe të rishikuara të Raportimit të Audituesit, të hartuara për të përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme raportet e audituesit për investitorët dhe përdoruesit e tjerë të pasqyrave financiare.

"Këto ndryshime do të fuqizojnë auditimin, ndërsa audituesit në mënyrë thelbësore do të ndryshojnë sjelljen e tyre dhe mënyrën se si ata komunikojnë në lidhje me punën e tyre," shpjegoi Prof. Arnold Schilder, Kryetar i BSNAS. "Rezultat i kërkimeve të shumta dhe shtrirjes globale të investitorëve, rregullatorëve, organizmave mbikëqyrës të auditimit, standardvënësve kombëtarë, audituesve, përpiluesve të pasqyrave financiare, anëtarëve të komitetit të auditimit dhe palëve të tjera, Standardet Ndërkombëtare të Auditimit përfundimtare (SNA-të) përfaqësojnë një hap të parë të rëndësishëm dhe të paprecedent. Tani, ne duhet t’i studiojmë, t’i promovojmë dhe të planifikojmë implementimin efektiv të standardeve të reja dhe të rishikuara."

"BSNAS i është përgjigjur thirrjeve të investitorëve dhe të tjerëve se është në interes të publikut që audituesi të sigurojë transparencë më të madhe në lidhje me auditimin e kryer," shtoi Dan Montgomery, ish Zëvendës Kryetar i BSNAS dhe Kryetar i projektit për Raportimin e Audituesit. "Rritja e vlerës komunikuese të raportit të audituesit është kritike për vlerën e perceptuar të auditimit të pasqyrave financiare."

Përmirësimi më i dukshëm është kërkesa e re për audituesit e pasqyrave financiare të subjekteve të listuara që të komunikojnë "Çështjet Kryesore të Auditimit" – ato çështje të cilat audituesi i konsideron si më të rëndësishmet, me një përshkrim se si ato janë trajtuar gjatë auditimit. BSNAS gjithashtu ka ndërmarrë hapa për të rritur fokusin e audituesit në çështjen e parimit të vijimësisë duke përfshirë shënimet e pasqyrave financiare, për të rritur më shumë transparencën në raportin e audituesit në lidhje me punën e kryer prej tij. Informacion rreth përmirësimeve të raportimit të audituesit dhe SNA-ve që janë prekur nga këto ndryshime mund të gjenden në faqen informuese të Raportimit të Audituesit.

"Përdorimi i Çështjeve Kryesore të Auditimit për entitetet e listuara është një përmirësim i rëndësishëm që do të ndikojë në ndryshimin jo vetëm të raportit të audituesit por edhe më gjerë në përmirësimin e cilësisë së raportimit financiar dhe si rrjedhojë vlerën informuese që ka për investitorët dhe palët tjera të interesuara” theksoi Linda de Beer, Kryetare e Grupit Këshillimor Konsultativ (GKK) të BSNAS. "GKK i BSNAS, me përbërje të ndryshme të anëtarësisë, ka mbështetur dhe inkurajuar njëzëri udhëheqjen e BSNAS-së në realizimin e këtyre ndryshimeve."

Standardet e reja dhe të rishikuara të Raportimit të Audituesit do të jenë efektive për auditimet e pasqyrave financiare për periudhat që përfundojnë në ose pas 15 Dhjetorit, 2016. "Megjithëse përpjekjet intensive kanë arritur kulminacionin gjatë gjashtë viteve të fundit, publikimi i standardeve përfundimtare nuk është aspak fundi i punës së BSNAS për sa i përket çështjes së raportimit të audituesit," theksoi Kathleen Healy, Drejtore Teknike në BSNAS. "Është thelbësore që bordi dhe stafi të vazhdojnë të promovojnë ndërgjegjësimin në lidhje me këto standarde dhe të lehtësojnë zbatimin efektiv të tyre."

Për këtë qëllim, seksioni i raportimit të audituesitfaqen në web të BSNAS është riideuar dhe përditësuar, duke paraqitur komponentët e parë të "Mjeteve të Punës së Raportimit të Audituesit." Informacione shtesë do të publikohen në vijim, kështu që përdoruesit duhet të vizitojnë vazhdimisht faqen e internetit për të qënë të azhornuar me udhëzuesit dhe materialet më të fundit. BSNAS gjithashtu planifikon të ndërmarrë një analizë të periudhës së pas-implementimit,e cila do të jetë e rëndësishme në vlerësimin nëse standardet janë duke i arritur efektet e tyre të synuara dhe nëse ndryshime të mëtejshme të raportimit të audituesit janë të nevojshme në interes të publikut.

Për BSNAS
BSNAS zhvillon standardet dhe udhëzimet e auditimit dhe shërbimeve të sigurisë të cilat përdoren nga të gjithë kontabilistët dhe audituesit profesionistë në bazë të një procesi të përbashkët të vendosjes së standardeve që përfshin Bordin Mbikëqyrës me Interes Publik, i cili mbikëqyr aktivitetet e BSNAS, dhe Grupin Këshillimor Konsultativ të BSNAS, i cili siguron të dhëna me interes publik në lidhje me zhvillimin e standardeve dhe udhëzimeve. Strukturat dhe proceset që mbështesin operacionet e BSNAS bëhën të mundura nga Federata Ndërkombëtare e Kontabilistëve (FNK).

Për FNK-në®
FNK është organizata globale e profesionit të kontabilitetit dhe auditimit, e përkushtuar për t’i shërbyer interesit publik duke fuqizuar profesionin dhe duke kontribuar në zhvillimin e ekonomive të fuqishme ndërkombëtare. FNK përbëhet nga 175 anëtarë dhe bashkëpunëtorë në 130 vende dhe juridiksione, duke përfaqësuar më shumë se 2.5 milion kontabilistë në praktikën publike, edukim, shërbime qeveritare, industri dhe  tregti.

Për njoftimin në origjinal vizitoni këtë link.