Janë bërë ndryshime në kornizën konceptuale unifikuese – qasja e përdorur nga të gjithë profesionistët e kontabilitetit dhe të auditimit për t’i identifikuar, vlerësuar dhe adresuar kërcënimet ndaj pajtueshmërisë me parimet themelore dhe, aty ku është e aplikueshme, me pavarësinë.
Çështjet e reja të Kodit përfshijnë:
- Dispozita të rishikuara të "mbrojtjes" më të përshtatura për kërcënimet ndaj pajtueshmërisë me parimet themelore;
- Dispozita më të fuqishme të pavarësisë lidhur me ndërlidhjen për një kohë të gjatë të personelit me klientët e auditimit;
- Seksione të reja dhe të rishikuara, të dedikuara për kontabilistët dhe audituesit profesionistë (PAIB) në lidhje me përgatitjen dhe prezantimin e informacionit; dhe presionin për t’i shkelur parimet themelore.
- Udhëzime të qarta për kontabilistët dhe audituesit në praktikën publike, për të cilët janë të zbatueshme dispozitat relevante të PAIB-së;
- Udhëzime të reja për ta theksuar rëndësinë e të kuptuarit të fakteve dhe rrethanave gjatë ushtrimit të gjykimit profesional; dhe
- Udhëzime të reja për të shpjeguar se si pajtueshmëria me parimet themelore e mbështet ushtrimin e skepticizmit profesional në një auditim apo angazhime tjera të sigurisë.
Kryetari i BSNEK-së, Dr. Stavros Thomadakis theksoi se “Ky është një moment revolucionar në shërbim të interesit publik. Kodi tani është një platformë e forcuar ndjeshëm, i ri- dizajnuar për përdorim më të gjerë, duke e ruajtur zbatueshmërinë globale. Kodi thekson rëndësinë e parimeve themelore për të gjithë kontabilistët dhe audituesit profesionistë. Tashmë fillon puna kritike brenda firmave, standard-hartuesve nacionalë, rregullatorëve dhe organeve të mbikëqyrjes së auditimit, organizatave të edukimit, organizatave anëtare të FNK-së dhe të tjerëve, në vetëdijësimin mbi Kodin dhe në mbështetje të adoptimit dhe zbatimit të tij".
I riemëruar si Kodi Ndërkombëtar i Etikës për Profesionistët e Kontabilitetit dhe të Auditimit (përfshirë Standardet Ndërkombëtare të Pavarësisë), Kodi i ri hyn në fuqi në qershor të vitit 2019. Ky është rezultat i hulumtimeve të gjera dhe konsultimeve globale me palët e interesit. Palët e interesit tani mund ta gjejnë Kodin e ri nëfaqen e web të BSNEK-së, ku burimet e zbatimit dhe materialet tjera mbështetëse do të publikohen gjatë tërë kohës deri në datën e hyrjes në fuqi.
Për BSNEK-në
Bordi i Standardeve Ndërkombëtare të Etikës për Kontabilistët është bord i pavarur i vënies së standardeve që zhvillon dhe nxjerrë standarde etike dhe deklarata tjera të cilësisë së lartë për profesionistët e kontabilitetit dhe të auditimit në mbarë botën, në shërbim të interesit publik. Përmes aktiviteteve të tij, BSNEK e zhvillon Kodin e Etikës për Profesionistët e Kontabilitetit dhe të Auditimit, i cili i përcakton kërkesat etike për këta profesionistë. Strukturat dhe proceset që i mbështesin aktivitetet operative të BSNEK-së ndihmohen nga FNK.
Për FNK-në
FNK është organizatë globale për profesionin e kontabilitetit dhe auditimit e zotuar në shërbim të interesit publik, duke e forcuar profesionin dhe duke kontribuar në zhvillimin e ekonomive ndërkombëtare. FNK përbëhet nga 175 anëtarë me të drejta të plota dhe anëtarë të asocuar, që i përfaqësojnë rreth 3 milionë kontabilistë dhe auditues në shërbime publike, edukim, shërbime qeveritare, industri dhe tregti.