Adresa: Rr.Elbasanit,
Pall.EDIL-AL-IT
P.O Box 1437
Tirane, Shqiperi

Tel: +355 4 23 46 077
Cel: +355 68 20 63 069

Email: info@ieka.al
Info

Konferenca IV Ndërkombëtare e IEKA: "Sfidat e Audituesit në një Mjedis Ekonomik në Ndryshim të Vazhdueshëm"

18.11.2017


Më datë 18 Nëntor 2017, në ambientet e Hotel Sheraton Tiranë, Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar të Shqipërisë (IEKA), me rastin e 20 vjetorit të themelimit të tij, zhvilloi Konferencën IV Ndërkombëtare me temë të përgjithshme ‘’Sfidat e audituesit në një mjedis ekonomik në ndryshim të vazhdueshëm’’.

Kjo konferencë mblodhi së bashku anëtarë nga profesioni kontabël dhe institucionet akademike shqiptare, përfaqësues nga qeveria shqiptare dhe institucione të tjera të pavaruara, anëtarë nga organizata ndërkombëtare dhe rajonale të tilla si BB, IFAC, ACCA, FCM, EFAA, FIDEF, etj., përfaqësues nga organizatat e profesionit kontabël nga Gjermania, Franca, Greqia, Italia, Turqia, Serbia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Bullgaria, Rumania, Azerbaixhani dhe të tjerë.

Në fjalën hapëse të konferencës, Presidenti i IEKA Z. Hysen Çela, ndërmjet të tjerash u shpreh se përgjatë këtyre dy dekadave Instituti ka përjetuar një rritje të shpejtë sasiore dhe cilësore dhe ka luajtur një rol vital në shumicën e transformimeve ekonomike të vendit. Sot IEKA e ka pozicionuar veten si një nga organizmat profesionale më të avancuara në Shqipëri, duke aderuar në standardet më të larta etike, teknike dhe profesionale.

Eventi u përshëndet edhe nga Ministrja për Mbrojtjen e Sipërmarresve zj. Sonila Qato, e cila duke vlerësuar punën e profesionistëve të kontabilitetit dhe auditimit u shpreh se duke qenë një profesion që promovon transparencën dhe respektimin e barabartë të ligjit, ai ndikon në luftën ndaj informalitetit dhe mbështet reformat ekonomike te qeverise.  

Personalitete të tjera nga vendi si Deputeti dhe ish-Ministri i Financave Z. Anastas Angjeli, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit Z. Bujar Leskaj, dhe Zv. Ministri i Financave dhe Ekonomisë Z. Elton Haxhi, gjithashtu uruan IEKAn për 20 vjetorin e saj dhe vlerësuan rëndësinë e punës së audituesve ligjorë.

Një vend të veçantë në përshëndetjet e konferencës zunë edhe pjesëmarrësit nga organizatat ndërkombëtare të kontabilitetit. Presidenti i EFAA Z. Bodo Richardt pasi vleresoi drejtuesit e IEKAs dhe vizionin e Institutit per te reformuar me tej, theksoi se sot duhet te punohet me shume per te forcuar praktikat  e vogla dhe te mesme (SMP-te). Presidenti i FCM Z. Masum Turker nenvizoi rolin e madh qe luajne organizimet rajonale te profesionit per nxitjen midis organizmave profesionale te vendeve te mesdheut. Si një anëtare aktive e Federatës Ndërkombëtare të Kontabilistëve (IFAC®), IEKA gjithashtu u përshëndet nga Drejtori Ekzekutiv i kësaj organizate Z. Fayez Choudhury nëpërmjet një video regjistrimi.

Ky event arriti synimin e tij për rritjen e ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e raportimit financiar cilësor dhe mbi nevojën për ridimensionimin e rolit të profesionistëve kontabël në kushtet ku shumica e entiteteve të biznesit po përballen me ndryshime shumëdisiplinore dhe kur teknologjia po ndryshon ndjeshëm mënyrën e të bërit biznes. Për t’i shërbyer më mirë këtij qëllimi, konferenca u organizua me tre sesione, secili me disa prezantime:
  • Rolet e reja të organizatave profesionale të kontabilitetit në kushtet kur sistemi i mbikëqyrjes ka marrë më shumë rol mbi profesionin;
  • Zhvillimi i Praktikave të Vogla e të Mesme, dixhitalizimi dhe përdorimi i teknologjisë - nevoja për diversifikimin e shërbimeve dhe shtimin e cilësisë;
  • Përmirësimi i edukimit – faktor kyç për suksesin e ardhshëm të profesionit kontabël.
Në sesionin e parë, Z. Hysen Çela në prezantimin e tij tregoi rrugën e ndjekur nga IEKA si një histori suksesi për zhvillimet e organizatës profesionale. IEKA sot ka në anëtarësinë e saj 216 auditues ligjorë që ushtrojnë profesionin dhe 61 shoqëri audituese. Domethënëse ishte shprehja e tij se është koha që profesioni të reagojë e të lëvizë si “ Formula 1” me shpejtësi marramendëse. Në vijim z. Reiner Veidt Drejtor Ekzekutiv, Dhoma Gjermane e Audituesve Ligjorë relatoi mbi mbikëqyrjen e profesionit të audituesit në Gjermani. Ai komplimentoi Shqipërinë për balancën femra-meshkuj në këtë profesion krahasuar me Gjermaninë ku statistikat tregojnë se 84% e profesionistëve kontabël janë meshkuj dhe vetëm 16% femra. Në kuadër të diskutimeve të këtij sesioni, Z. Dritan Fino Kryetar i Bordit të Mbikëqyrjes Publike tha se mbikëqyrja e profesionit është një element i rëndësishëm për të përmirësuar cilësinë dhe për të ndërtuar besimin ndaj shërbimeve profesionale. Presidenti i EFAA Z. Bodo Richardt  vijoi më tej duke relatuar se si organizimet rajonale kontribuojnë në zhvillimin e profesionit.

Sesioni i dytë pati një spektër më të gjerë diskutimesh. Z. Philippe Arraou ish president  dhe drejtues per kooperimin nderkombetar ne organizaten franceze OEC/CNCC dhe Anëtar i Bordit të  IFAC mbajti një prezantim mjaft interesant mbi dixhitalizimin si e ardhmja e profesionit. Eksperienca greke në rolin e praktikave të vogla e të mesme dhe diversifikimin e shërbimeve u përcoll më së miri nga Z. Panagiotis Alamanos Pergjegjes per marrëdhëniet ndërkombëtare të organizatës SOEL. Si Zv. Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, Z. Artur Papajani diskutoi rreth sfidave të profesionit në stadin aktual të zhvillimit të administrimit tatimor. Si përfaqësues i kompanive Big 4 që operojnë në vendin tonë, Z. Elvis Ziu nga Deloitte argumentoi se si diversifikimi i shërbimeve profesionale kontribuon në shtimin e vlerës për biznesin. Nga kompanitë softwerike të kontabilitetit shqiptare, Z. Fation Veizi nga Bilanc shpk foli rreth përdorimit të softwerëve në zhvillimin e entiteteve të vogla e të mesme.

Edukimi i profesionistëve kontabël ishte kryefjala e sesionit të tretë të konferencës. Z. Andrei Busuioc nga Banka Botërore CFRR Vienna, foli rreth projektit EQFinrep dhe ndikimit të tij në sistemet e  kualifikimit, zhvillimit të vijueshëm profesional dhe sigurimit të cilësisë së punës së audituesve. Ai sqaroi komponentët dhe objektivat për çdo komponent të kësaj reforme. Sistemi aktual i edukimit të IEKAs, sfidat dhe perspektivat u paraqitën nga Z. Kledian Kodra, Kryetar i Komitetit të Edukimit në IEKA duke theksuar se ky sistem edukimi ka përputhshmëri me kërkesat e IFAC dhe direktivat e EU mbi auditimin. Sërish nga Banka Botërore, Z. Stewart Macleod  foli rreth roli të projektit të BB në zhvillimin e një kurrikule të re në përputhje me Direktivën e BE për auditimin ligjor. Nga Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, Znj. Ingrid Shuli u shpreh se edukimi kontabël i studentëve nuk duhet të konsiderohet si një proces që përfundon me mbarimin e studimeve, por që fillon me to e vijon gjatë gjithë kohës së ushtrimit të profesionit. Ajo u thellua më tej në rolin e universiteteve në edukimin kontabël. Së fundmi, Z. Nazmi Pllana Kryetar i Bordit te SCAAK solli eksperiencën  e Kosovës në edukimin dhe certifikimin e profesionistëve kontabël.



Eventi u ndoq nga rreth 240 pjesëmarrës në sallë, nga të cilët 32 ishin të huaj, 40 të ftuar nga vendi dhe pjesa tjetër auditues ligjorë anëtarë të IEKA. Ky event shërbeu si një mundësi e mirë për diskutimin mbi të ardhmen e profesionit të audituesit në kohën kur teknologjia dixhitale po evoluon me hapa shumë të shpejtë. Më specifikisht, u fokusua mbi rolin e tij në përmirësimin e cilësisë së raportimit, shtimin e gamës së shërbimeve të ofruara nga audituesit ligjorë, ndihmën në rritjen e SME-ve, në shtimin e vlerës për entitetet e bizneseve dhe veçanërisht në ndihmën për qeverinë në luften ndaj ekonomisë informale dhe korrupsionit.

Për më shumë:
Programi i konferencës
Broshura për 20 vjetorin e IEKA