Rreth IEKA-s
Adresa: Rr.Elbasanit,
Pall.EDIL-AL-IT
P.O Box 1437
Tirane, Shqiperi

Tel: +355 4 23 46 077
Cel: +355 68 20 63 069

Email: info@ieka.al
Historiku - Aktiviteti

Historiku - Aktiviteti

1997 - 2017 20 Vjet IEKA

Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA) u krijua më datën 24 Nëntor 1997, me statusin e një shoqate profesionale jo fitimprurese, që grupon profesionistët kontabël të pajisur me titullin "Auditues Ligjorë" të cilët e ushtrojnë profesionin e tyre në praktikën publike në  mënyrë të pavarur  në statusin e personave  fizikë ose në përbërje të shoqërive të ekspertëve kontabël të autorizuar.

Në datën 24 nëntor 1997  në Pallatin e Kongreseve në Tiranë u zhvillua Asambleja e Përgjithshme e Anëtarëve e cila bazuar në nenin 16 të Urdhëresës nr. 1 datë 02.10.1995 të Këshillit të Ministrave, zgjodhi Këshillin e parë Drejtues të Insitutit, Kryetar i të cilit u zgjodh prof. Baki Berberi.

Gjatë viteve të veprimtarisë së Institutit, Kryetarë të Këshillave Drejtues kanë qenë:
  1. Baki Berberi  24.11.1997 – 20.04.2006
  2. Romeo Mitri 02.05.2006 – 23.06.2006
  3. Diana Ylli  23.06.2006 – 28.09.2012
  4. Hysen Çela  28.09.2012 e në vazhdim 
Insituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar u regjistrua si person juridik me vendimin nr. 3573 datë 16.10.1998 të Gjykatës së Rrethit Tiranë.

Në vitin 1997, IEKA numëronte 56 audituesit e saj të parë, ndërsa sot, në vitin 2017, IEKA ka 216 anëtarë persona fizikë, 61 Shoqëri Auditimi.

Aktualisht (2017) vec anëtarëve që e ushtrojnë profesionin në praktikën publike (të cilët janë të përfshirë  në regjistrin Publik të Ekspertëve Kontabël të Regjistruar) titullin e  kanë  fituar edhe 101 individë, të cilët për shkak se kanë papajtueshmëri me kërkesat e ushtrimit të profesionit, nuk janë të përfshirë në regjistrin publik të EKR-ve.

Që nga viti 2001 në IEKA regjistrohen kandidatët të cilët përgatiten për të fituar titullin "Auditues Ligjor". Gjatë pesë viteve të fundit në këtë kategori janë regjistruar:
  • në vitin 2013 ......... 46 individë
  • në vitin 2014 ......... 75 individë
  • në vitin 2015 ......... 35 individë
  • në vitin 2016 ......... 53 individë
  • në vitin 2017 ......... 22 individë
Kanë kaluar me sukses provimin e aftësisë profesionale respektivisht:
  • për vitin 2012 ......... 56 individë
  • për vitin 2013 ......... 47 individë
  • për vitin 2014 .........  9 individë
  • për vitin 2015 ......... 14 individë
  • për vitin 2016 ......... në proces
Qysh prej vitit 2008, Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar është anëtar me të drejta të plota në IFAC, me detyrime dhe të drejta që burojnë nga ky anëtarësim i merituar. Ai bën përpjekje të vazhdueshme për të qenë në pajtueshmëri të plotë me të gjithë Deklaratat e Detyrimeve të Anëtarësisë të IFAC-ut (SMO- Statement Membership Obligations 1 -7), qoftë përmes përmirësimit të rregullave të tij të brendshme, ashtu edhe duke influencuar tek aktorë të tjerë që kanë përgjegjësi dhe detyrime specifike për të qenë në pajtim me SMO-të e IFAC-ut.

IEKA është pjesë përbërëse e organizmave ndërkombëtare dhe ka një përfaqësim të konsiderueshëm ndërkombëtar ku përmendet anëtarësia me të drejta të plota në:
  • IFAC    - Federata Ndërkombëtare e Kontabilistëve
  • FIDEF -  Federata e Ekspertëve Kontabël Frankofonë,
  • FCM    -  Federata e Ekspertëve Kontabël të Mesdheut
  • EFAA   - Federata Evropiane e Kontabilistëve dhe Audituesve të Entiteteve të Vogla dhe të Mesme
Mbajtja e nivelit të aftësive profesionale të anëtarëve dhe përmirësimi i mëtejshëm i tyre sigurohet vec të tjerash, përmes një procesi të kualifikimit të vijueshëm.
Po kështu, përgatitja e audituesve të rinj kalon përmes kryerjes së një praktike profesionale pranë një audituesi apo një firme auditimi.

Në programin e edukimit profesional të kandidateve përfshihen pothuaj të gjitha kërkesat e standardeve të Edukimit të IFAC (IES), ku bëjnë pjesë Standardet Ndërkombëtare të Auditimit, Dhënies së Sigurisë, Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit, Standardet e Etikës Profesionale, etj.

Historia e profesionit të audituesit ligjor në vendin tonë fillon në vitin 1995, dhe lidhet me ndryshimet dhe përmirësimet që ju bënë ligjit për shoqëritë tregtare, në të cilin u përfshinë disa dispozita të veçanta, të cilat parashikonin nga njëra anë obligimin e entiteteve të biznesit (shoqëritë tregtare aksionare dhe ato me përgjegjësi të kufizuar) për auditimin e pasqyrave financiare vjetore, dhe nga ana tjetër këto ndryshime i hapën rrugën hartimit të akteve të tjera nënligjore që do të shërbenin për krijimin, zhvillimin dhe organizimin e një profesioni të ri ate te Ekspertit kontabël të autorizuar.

Rregullimi fillestar i profesionit dhe i organizmit të tij profesional u bë me akte nën/ligjore të nxjerra nga Këshilli i Ministrave. Në vitin 1995, Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë miratoi Urdhëresën Nr.1, date 2/10/1995, e cila në një dokument të vetëm përfshinte pjesën më të madhe të aspekteve që lidheshin me hyrjen në profesion, provimet e aftësisë profesionale, trajnimin, testimet, eksperiencën, e deri aspektet e rregullave të para të deontologjisë dhe etikës e sjelljes profesionale. Urdhëresa përmbante dispozita të caktuara që rregullonin edhe detyrimin për auditimin ligjor të shoqërive tregtare, duke shkuar më tej deri në përcaktimin e proçedurave dhe të standardeve të punës së audituesve.

Urdhëresa e KM i hapi rrugën krijimit më 24 nëntor 1997 të organizmit profesional – Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar të Shqipërisë (IEKA). Misioni i IEKAs ishte krijimi dhe zhvillimi i profesionit të Ekspertit kontabël të autorizuar ose të audituesit ligjor - një profesion i ri që do angazhohej në kryerjen e verifikimit dhe kontrollit të pavarur të llogarive vjetore (pasqyrave financiare) të bizneseve shtetërore e atyre private që po lindnin dhe organizoheshin në kushtet e reja të ekonomisë të tregut.

Periudha e parë zhvillimore e profesionit ka qenë një periudhë intensive përgatitje, trajnimi, dhe sensibilizimi e testimi të kandidatëve, e shoqëruar edhe me veprimtari intensive në drejtim të hartimit të proçedurave të punës. Në vitin 2000, për t`u sjellë në pajtim me kërkesat e Kushtetutës së re të Shqipërisë (që nga tranzicioni në fillim të viteve 90-të dhe deri në atë kohë vendi kishte operuar me Dispozitat kryesore kushtetuese), Urdhëresa Nr.1 e Këshillit të Ministrave u ri konsiderua me objektivin e transformimit të saj në një vendim të Këshillit të Ministrave (VKM Nr. 150 datë 31.03.2000). Krahas me transformimin, vendimit ju bënë edhe disa amendime/ rregullime shtesë të diktuara nga zhvillimet në fushë, ku mund të përmendim liberalizimin e shërbimeve të auditimit ligjor edhe për shoqëritë audituese të huaja, i cili në atë kohë imponohej nga nënshkrimi prej Shqipërisë i marrëveshjes me Organizatën Botërore të Tregtisë për liberalizimin e shërbimeve dhe të tarifave; si edhe futja për herë të parë e praktikës profesionale në kërkesat e detyrueshme për kandidatët në profesionin e audituesit ligjor. Pothuaj më shumë se një dekadë, ky vendim ka qenë baza kryesore rregullatore e auditimit ligjor, të funksionimit të profesionit të ekspertit kontabël dhe të organizimit të autoritetit kompetent të EKR-ve, Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar.

Krahas me disa amendime në aktet e zbatueshme rregullatore (amendimi i VKM 150 në vitin 2001) ky proçes zhvillimor, u pasua me një veprimtari intensive të IEKAs në drejtim të hartimit të rregullave dhe udhëzimeve specifike të funksionimit, të proçedurave të punës së anëtareve, dhe të trajnimit intensiv dhe ekstensiv të anëtarëve dhe kandidatëve për EKR. Në vitet e para proçesi zhvillimor u mbështet me asistencë teknike nga BE, e cila u zbatua nga konsulentë të mirënjohur në shkallë ndërkombëtare nga Britania e Madhe dhe Franca.

Në vitin 1996, në zbatim të projektit të parë të asistencës teknike (1996 – 1998) Phare Al- 9404/015 “Reforma e Auditimit në Shqipëri”, u hartuan rekomandimet e para teknike, të cilat përfaqësonin në të vërtetë proçedurat dhe standardet e para të auditimit, të cilat u përdorën për disa vjet me radhë nga disa gjenerata të eksperteve kontabël të autorizuar jo vetëm për kualifikimin dhe përgatitjen e tyre profesionale, por gjithashtu, edhe si proçedura pune praktike për të kryer auditimin (ekspertimin kontabël).

Në periudhën 1998 – 2000, organizmi profesional i eksperteve kontabël të autorizuar përfitoi edhe nga një projekt tjetër i asistencës teknike të BE-së - Phare AL 97- 08 - D1 97- 01 “Reforma e Auditimit – Asistencë Teknike për Institutin e Ekspertëve Kontabël të Autorizuar”, për zbatimin e të cilit u përzgjodh një konsorcium Franko Britanik i përbërë nga Institutet Franceze të profesionit të kontabilitetit dhe auditimit (CNCC & OEC) dhe Instituti i Kontabilistëve të Çertifikuar të Skocisë (ICAS), organizmi më i vjetër profesional kontabël në botë, i themeluar që në vitin 1853. Në fokusin kryesor të asistencës ishte rritja profesionale e anëtarëve dhe përmirësimi i funksionimit të Institutit të Eksperteve Kontabël. Rekomandimet teknike, të fazës së parë u pasuan nga një paketë e re e proçedurave të auditimit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SCAP)1.

Proçedurat e auditimit produkt i fazës së dytë të asistencës, në vitin 2003 u zëvendësuan me Standardet Ndërkombëtare të Auditimit, të publikuara nga Bordi i Standardeve të Auditimit e Dhënies së Sigurisë i Federatës Ndërkombëtare të Kontabilistëve (IFAC), të cilat u përkthyen dhe publikuan në gjuhën shqipe nga Instituti i Ekspertëve kontabël të Autorizuar. Standardet ndërkombëtare të auditimit (SNA) u ribotuan në janar të vitit 2007, duke përfshirë në një tekst të vetëm të gjithë paketën e standardeve ndërkombëtare të auditimit dhe të direktivave të praktikave të auditimit të IFAC. Në vitin 2011 Organizmi profesional i audituesve ligjorë në Shqipëri përktheu dhe publikoi të gjithë standardet ndërkombëtare të auditimit të qartësuara të IFAC-ut (edicionin 2010 të IAASB-se).

Miratimi nga Kuvendi i Shqipërisë i Ligjit 10091 datë 05.03.2009, bëri të mundur që për herë të parë rregullimi i profesionit të ekspertit kontabël të regjistruar të bëhet në mënyrë ligjore. Një rregullim i tillë ishte më i plotë si për profesionin dhe organizmin profesional, ashtu edhe për auditimin ligjor të pasqyrave financiare të entiteteve të biznesit. Ligji i sipërpërmendur bëri rregullimin edhe për të gjitha kategoritë e profesionit kontabël në vendin tonë.

Rruga nëpër të cilin ka ecur profesioni i audituesit ligjor mund të konsiderohet si një rrugë paralele që ka ndjekur jo vetëm ecurinë dhe zhvillimin e biznesit në vendin tonë, por edhe zhvillimet Evropiane e ato ndërkombëtare në fushën kontabël dhe të auditimit.

Me ndryshimet më të fundit në ligjin e auditimit (Ligji 46/2016) funksionimi i Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar bazohet në një ligj modern, që vlerësohet pothuaj në pajtim të plotë me Direktivën e Auditimit Ligjor të BE-së.

Profesioni mbikëqyret nga një autoritet i pavarur mbikëqyrje, Bordi i Mbikëqyrjes Publike të EKR-ve, i cili shërben si një garanci më shumë për cilësinë dhe besueshmërinë e raportimit financiar të entiteteve të biznesit.

Veprimtaria e Institutit, është tipike e një organizimi profesional që kombinon vetërregullimin profesional me rregullimin nga jashtë ose ndryshe me mbikëqyrjen nga autoritetet publike.

Organizimi i këtij profesioni bazohet në një paketë të plotë rregullash që janë hartuar në pajtueshmëri me direktivat dhe rregullimet e Bashkimit Evropian, e veçanërisht në pajtim me direktivën e Auditimit Ligjor të BE-së dhe Standardet teknike profesionale dhe etike të publikuara nga Bordet e Pavarura të IFAC. Përveç akteve ligjore e nënligjore të hartuara nga organizmat kombëtare ligjore e rregullatore, në rregullimet e brendshme është përfshirë edhe një seri tjetër e plotë e akteve të nevojshme vetërregullatorë të përgatitura nga vetë organizmi profesional, ku mund të përmenden kodi i etikës; rregullorja dhe proçedurat e kontrollit të cilësisë së angazhimeve, rregullorja e investigimit e disiplinës, rregullorja e edukimit dhe kualifikimit të vijueshëm, etj.

Në kornizën rregullatore të funksionimit të organizmit profesional të audituesve theksohet se objekti i veprimtarisë së tij është të sigurojë për mirë ushtrimin e profesionit, mbrojtjen e pavarësisë dhe të nderit të anëtarëve të tij, si dhe mbikëqyrjen dhe formimin profesional të anëtarëve; të gjitha këto në funksion të shërbimit cilësor ndaj interesit publik.

Në vitin 2016, u rishikua Ligji bazë i rregullimit të profesionit (Nr.10091 datë 5.3.2009), në kuadër të reformës për përmirësimin e raportimit financiar të shoqërive tregtare, e cila synon një përafrim më të madh të kuadrit rregullator me Acquis communautaire (Aki). Rekomandimet kryesore të Institucioneve ndërkombëtare e vendosën theksin kryesor në forcimin e pavarësisë dhe rishikimin e strukturës së Bordit të Mbikëqyrjes Publike, si edhe në përmirësimin e proçesit të edukimit dhe përgatitjes së profesionistëve.


1 Small Company Audit Procedures- përgatitur në bashkëpunim me departamentin e edukimit të ICAS, Skoci